AktualitetTë fundit

Kina, fuqia e re në Mesdhe

Nisma ‘Një Brez, një Rrugë’ ka dy komponentë: Brezi Ekonomik Rruga e Mëndafshit dhe Nisma e Rrugës Detare të Mëndafshit që është e përshtatur për shekullin e XXI-të dhe ka për synim lidhjen përmes rrugëve tokësore dhe detare të Kinës me Evropën. Kjo projekti më ambicioz i integrimit nga Pekini zyrtar deri më tani – qëndron në zemër të politikës së jashtme të Kinës. Nisma e Rrugës Detare të Mëndafshit (NRDM) parashikon ndërtimin e rrugëve detare me lidhje të shpejtë me synim rritjen e tregtisë përgjatë pikave tokësore dhe detare të ‘Rrugës së Mëndafshit’, duke lidhur Azinë me Evropën dhe Afrikën.

Nën skemën strategjike të NRDM-së, Kina ka kohë që po blen të drejtat e operimit dhe zhvillimit të një zinxhiri portesh që shtrihen nga rajonet jugore të Azisë në Lindjen e Mesme, Afrikë, Evropë dhe madje edhe në Amerikën e Jugut.

Sipas Financial Times, Kina ka shpenzuar miliarda në zgjerimin e rrjetit të vet portual për të siguruar kështu korridore detare dhe për t’u imponuar si një fuqi detare.

Deti Mesdhe është një nga autostradat detare më të rëndësishme të të gjithë rrugëve ndërkombëtare të tregtisë në botë. Është një pikë e rwndwsishme, pasi përfaqëson pikën fundore të ‘Një Brez, një Rrugë’. Duke pasur parasysh pozicionin strategjik të Mesdheut, Kina ka shtuar prezencën e vet në rajon duke blerë, ndërtuar, modernizuar, zgjeruar dhe vënë në punë portet më të rëndësishme në Greqi, Egjipt, Algjeri, Turqi dhe Izrael. Pekini do të kapitalizojë afërsinë gjeografike të Mesdheut për ta kthyer atë në një nyje kryesore të shpërndarjes së mallrave kineze drejt Bashkimi Evropian, që është edhe partneri më i madh tregtar i saj.

Lidhjet përherë e më të fuqishme ekonomike mes Kinës dhe Evropës po i japin rajonit të Mesdheut mundësi në për të rifituar vendin e tij në krye të tregëtisë ndërkombëtare. Kanali i Suezit i zgjeruar së fundmi, rruga kryesore e transportit mes Azisë dhe Evropës, ka dyfishuar kapacitetin e vet në mundësimin e një fluksi trafiku mes Detit të Kuq dhe Mesdheut. Aty tashmë kalojnë mjete më të mëdha, duke reduktuar kohën e tranzitit mes Azisë dhe Evropës dhe duke rritur konkurencën dhe vizibilitetin e porteve mesdhetare.

Kina është shteti më i madh në botë për tregëtimin e mallrave. Tri kompani kineze janë mes dhjetë më të mëdhave në botë për numrin e kontenierëve dhe ato realizojnë afërsisht 10 për qind të tregëtisë botërore. Shumica e mallrave kineze transportohen me anije, kështu që Pekini është një destinacion kryesor dhe pikënisje e rrugëve ndërkombëtare të tranaportit detar.

Portet kineze të mallrave janë mes atyre me më shumë qarkullim në botë. Tetë nga dhjetë portet e kontenierëve me më shumë fluks pune në botë janë në Kinë, me portin e Shangait si porti më i ngarkuar në fluks pune në planet. Kina është shteti i tretë në botë për flotën tregëtare dhe shteti kryesor në ndërtimin e anijeve, me rreth 30 milionë tonë.

Ndërmarrjet kineze janë gjithashtu aktive në ndërtimin dhe menaxhimin e porteve në mbarë botën. Përmes ndërtimit dhe menaxhimit të porteve, aseteve ndërkombëtare të transportit detar, krahas Rrugës së Mëndafshit si dhe ndërtimit të lidhjeve më të shpejta përmes rrugëve detare, apo rritjes së tregëtisë, Pekini planifikon të zgjerojë objektivat e Kinës si fuqi detare.

Aktiviteti strategjik detar i Pekinit në Mesdhe, konsiston kryesisht në ndërtimin dhe operimin e porteve apo hekurudhave. Këto investime duhen parë në kontekstin e aktiviteteve më të mëdha infrastrukturore që zhvillohen nën nismën ‘Një Brez, një Rrugë’.

Investimet në korridoret detare dhe hekurudha plotësojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që hapin lidhje të reja tregëtare mes Kinës dhe Euroazisë dhe Afrikës. Kina është përpjekur që të rrisë prezencën e vet në Mesdhe me ngadalë, duke investuar në qendrat e shpërndarjes logjistike ndërkombëtare dhe projekte të infrastrukturës që kanë fuqizuar pozicionin e saj rajonal.

Për shembull, investimet e Kinës në portin e Pireut, potet e Ashdod dhe Haifës, në Port Said dhe projektin e Korridorit të Kanalit të Suezit shkojnë dora-dorës me nismën ‘Një Brez, një Rrugë’ që shenjon kalimin nga Rruga Detare e Mëndafshit në atë tokësore drejt Evropës. Rruga Detare e Mëndashit që Pekini po synon në shekullin e XXI-të, duhet konsideruar një forcë lëvizëze e interesave të tij ekonomike dhe strategjike në Mesdhe sikurse edhe një platformë nga e cila Kina do të mund të përshpejtojë dhe rrisë praninë dhe ndikimin e vet.

Kina po bëhet gradualisht më ndikuese në Detin Mesdhe, qoftë ekonomikisht, qoftë diplomatikisht dhe gjeostrategjikisht. Investime shumë të mëdha dhe raportet me përfitim reciprok tregëtar mes Kinës dhe vendeve të Mesdheut, por forcojnë rolin e Pekinit në çështjet rajonale, ndërkohë që e ekspozojnë atë ndaj kërcënimeve serioze. Paqëndrueshmëria politike dhe ekstremizmi fetar në shumë vende në rajonin e Mesdheut, shtron çështjen nëse Pekini do të ketë dëshirën që të marrë një rol lidershipi, me të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin prej këtij statusi.

Nuk ka për të patur një zbatim të suksesshëm të Rrugës Kineze Detare të Mëndafshit pa adresuar dallimin mes interesave ekonomike dhe kapacitetit për t’i mbrojtur këto interesa. Sigurimi i investimeve në një rajon me paqëendrueshmëri gjeopolitike të skajshme, do të jetë një provë e vështirë për politikën e jashtme të Pekinit në vitet e ardhshme. Kina nuk ka një strategji të përgjithshme në lidhje me çështjet e Mesdheut, në vend të kësaj, Kina preferon të hyjë në marrëdhënie mes secilin prej vendeve.

Politika kineze ndaj rajonit dominohet ende nga faktori ekonomik, në veçanti tregëtia dhe investimet. Pekini do të duhet të heqë dorë nga ndjekja strikte e parimit të vet të mosndërhyrjes nëse do që të vjelë ndonjë përfitim nga rajoni i Mesdheut.

Deri më tani, sjellja e Kinës në rajon mbetet e kujdesshme: ajo mban një profil të ulët dhe nuk po kërkon të tjetërsojë në mënyrë dramatike dinamikat aktuale. Pekni vazhdon të preferojë veprimin e matur dhe të shmangë përfshirjen në konfrontimet që gjallojnë në Mesdhe./Mordechai Chaziza

 

Fraksion.com