Blendi Klosi: Pengu im, koha e paktë që kaloj me fëmijët
I dashuruar me Dhërmiun, ku pushon prej 30 vitesh, i zhveshur nga kostumi i ministrit, krejt sportiv, Blendi Klosi ishte i ftuar në emisionin “Pushime on Top”, ku rrëfeu për familje, raportin me fëmijët e bashkëshorten.
Blendi Klosi është baba i dy fëmijëve, Aroni 8 vjeç dhe Ambla 6 vjeçe.
“Aroni ka filluar të ndjehet si djali i madh, me atë bëj muhabete si shok dhe ndajmë biseda. Gjatë gjithë fazës së kampionatit botëror, unë bisedoja me të për ndeshjet dhe aty e kuptova sa larg rri me fëmijët, se ai dinte gjithçka, ndeshjet, futbollistët, ku luajnë dhe mendova ku i ka mësuar gjithë këto. Këtu kuptova se gjatë gjithë vitit e kemi të vështirë të rrimë me fëmijët. Dua shumë që gjatë sezonit, megjithëse do jem në punë si ministër i turizmit, dua që të rri më shumë me ta” tha Klosi.
Më e vogla e familjes sigurisht që ka pak më shumë vëmendje. Blendi Klosi, jashtë kostumit të ministrit, emocionohet kur flet për të bijën dhe tregon historinë e emrit të saj “Ambla”.
“Kur Nora më tha që do bëhemi me vajzë, e putha dhe i thashë do ia vendos emrin Ambla si puthja e mami Norës, e ëmbël” tha ministri.
Klosi bashkë me familjen e tij po pushojnë në Dhërmi dhe ndihet i lumtur për faktin se pushon me fëmijët.
“Ne jemi ende në fazën kur fëmijët duan të rrinë me prindërit. Për këtë jam shumë i lumtur, pasi shumë miq na thonë se fëmijët e tyre duan të bëjnë pushime vetëm, me shoqërinë dhe rrallë me familjen. Tani fëmijët janë ende të vegjël. Amblës po i mësoj notin, e provokoj hajde futemi në det sepse dua ta mbaj në krahë”, tregoi Blendi Klosi.
Raporti me djalin duket se është pak më ndryshe. Aroni 8-vjeçar është ndoshta i vetmi njeri që i drejtohet Blendi Klosit me fjalinë “ku di gjë ti”. Me humor ministri e shpjegoi këtë situatë duke treguar se për disa tema kur bisedon me të birin dhe ai del që është më i informuar, si futbolli.
Blendi tregoi se djalit të tij dy gjëra nuk do t’ia lejojë që të bëjë në jetë.
“Aronit i kam thënë futbollist dhe politikan nuk do të bëhesh. Futbollist sepse ka shumë mundësi për t’u dëmtuar dhe politikan sepse është një profesion shumë i vështirë dhe me shumë të panjohura” tregoi Klosi.
Koha e munguar në familje sigurisht që mund të ketë ndikim në familje. Blendi Klosi tregoi si e kompenson këtë mungesë te raporti me bashkëshorten e tij.
“Me Norën jemi shumë mirë dhe shpresoj mos ma marrësh në sy. Jemi të dy që e jetojmë jetën në të gjitha dimensionet e saj dhe duam shumë që ta ndjejmë veten të rinj” tha Klosi.
Fraksion.com