AktualitetKosovaTë fundit

94% e investitorëve s’duan të investojnë në Kosovë

Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë të ditur se 94% të investitorëve vendas dhe të huaj gjatë vitit 2017 janë deklaruar se nuk duan të investojnë në Kosovë, në mungesë së sigurisë dhe mbështetjes institucionale.

Sipas një studimi, i bërë nga AKB, droja e investitorëve ka ardhur, gjithashtu, edhe për shkak të korrupsionit administrativ dhe vonesave me lejet e ndërtimit.

Ndërkaq, gjatë periudhës janar-maj 2018 vetëm 2% e investitorëve kanë vendosur të qëndrojnë në Kosovë, ndërsa 4% nuk e dinë ende se çfarë do të bëjnë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se Ligji për Investime Strategjike ka rezultuar i pasuksesshëm. Sipas tij, shumica e investitorëve  kanë zgjedhur shtetet e rajonit, si vende më të përshtatshme për të bërë biznes.

“Kosova ka ligjin për investime strategjike, nga i cili ligj po del se është i pasuksesshëm dhe si pasojë nga ky ligj nuk ka ardhur asnjë investitorë. Shumica investitorëve shkojnë në tregjet e shteteve fqinjë, më shumë se 35% në Serbi, në Maqedoni 25%, në Shqipëri 15%, ne Mal të zi 10 %  dhe në Bosnje dhe Hercegovinë 5%”.

“Politikat e vendit që nga viti 2016,17,18 janë marrë me tema të tjera, si Demarkacioni, Asociacioni, dialogu, duke mos u marrë me problemet ekonomike të vendit. Investitorët vijnë në Kosovë më tepër si turist”, tha Shahini.

Nënkryetari i AKB-së, më anë tjetër, Suad Berisha, tha se të dhënat statistikore tregojnë se, për shkak të mungesës së kushteve  për investim ne vendin tonë, ata po largohen në drejtim të vendeve të rajonit.

“Statistikat thonë se të gjitha vendet e rajonit kanë ngritje të përqindjes së investimeve që nga viti 2016 e deri në vitin 2017. Në Bosnje dhe Hercegovinë që nga viti 2017, ka pasur rritje te investimeve për 60%, kurse ne Serbi kjo shifër kalon me mbi 34%. Në Maqedoni ka pasur, gjithashtu, rritje mbi 40%. Kurse investime serioze të brendit botëror nuk ka pasur në Kosovë”, deklaroi Berisha.

Bashkimi Osmani nga AKB mendon që modelet e vendeve të rajonit do të shërbenin si shembull i mirë sesi duhet krijuar lehtësira për bizneset.

“Duhet të merren modele të vendeve te Ballkanit, të bëjmë politika të mira fiskale dhe të gjithë te bashkëpunojmë që t’i kontribuojmë vendit dhe ta ngrisim Kosovën në aspektin ekonomik”. /EO

 

Fraksion.com