Ekspozitë e artit botanik në Uashington
Arti botanik ilustron bukurinë delikate të specieve bimore, shpesh në piktura me bojra uji. Një seri ekspozitash me piktura bimësh të vendeve të caktuara po shfaqet në 25 vende të botës. Ideja është që të hidhet dritë mbi artin botanic dhe larminë e bimëve në gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, 46 piktura të tilla po ekspozohen në Kopshtin Botanik në Uashington. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Block foli me disa nga artistët për punët e tyre.
Kopshti që ka mbjellë Eileen Malone-Brown i krijon asaj mundësinë që të kombinojë dashurinë për bimët me atë për artin dhe ajo pikturon vetëm bimët që ka mbjellë vetë.
“Kopshti është si një laborator. Mund të dalësh ta shohësh dhe pastaj hyn brenda dhe pikturon dhe pyet veten: Si lidhet gjethja me kërcellin?”, thotë ajo.
Arti botanik kombinon pikturën me shkencën, pasi çdo pjesë e pikturës ka detaje të sakta botanike.
Ekspozita e artit botanik në Kopshtin Botanik në Uashington, përfshin pikturën e luleshtrydhes së Virxhinias që ka bërë Malone-Brown.
“Në këtë pikturë, mund të shohësh një lule dhe një frut të pjekur. Prandaj duhej të sigurohesha që bima rritej pikërisht ashtu”, thotë zonja Malone-Brown.
Ajo i krijon pikturat e saj me një metodë që quhet, furçë e thatë, duke përzier pikëla të vogla uji me bojra uji dhe duke përdorur në furçe për të pikturuar vija të imta.
Ekspozita ka bimë si pemë, bar dhe lule, disa prej të clave mund të gjenden në Kopshtin Botanik.
Piktorja e njohur e artit botanik Carol Woodin ka pikturuar një heqël të verdhë. Ajo thotë se çdo artist ka stilin e vet:
“Disa artistë fiksojnë vetëm një moment të caktuar dhe e hedhun atë në telajo. Artistë të tjerë studiojnë një bimë gjatë gjithë sezonit dhe kapin faza të ndryshme. Disa rrëfejnë një histori dhe disa janë pikturuar edhe me disa bimë të tjera përreth”.
Alice Tangerini vizaton imazhe botanike me bojë stilografi. Ajo thotë se fotografitë nuk i kapin dot detajet siç bëjnë vizatimet botanike.
“Sheh një gjethe që është ndryshe nga të tjerat, një lule, një fare. Sa herë që vizatoj një pjesë, entuziazmohem”, thotë artistja.
Ashtu si piktorë të tjerë botanikë, Malone-Brown thotë se procesi i pikturimit të bimëve të ngjall kënaqësi:
“Janë miqtë tanë më të mire dhe duhet ta duash vërtet shumë bimën që pikturon sepse do kalosh një kohë të gjatë në shoqërinë e saj”.
Fraksion.com