Ukrainë: “Muzeu i Korrupsionit”
Jeta luksoze dhe korrupsioni i ish presidentit të Ukrainës është bërë një joshje e veçantë për turistët që vizitojnë Kievin. Shtëpia luksoze, ku dikur jetonte Viktor Yanukovych, me llampadarë të kushtueshëm, një kopsht zoologjik privat dhe kopshte të tjera, të gjitha këto kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Kompleksi tani është shndërruar në një monument që quhet “muzeu i korrupsionit”.
E rrethuar nga hektarë pyjesh dhe e ndërtuar në një ish-zonë të mbrojtur natyrore, kjo shtëpi është një pronë mbresëlënëse e njohur si “Mezhyhirya”.
Shtëpia, në të cilën ka jetuar ish presidenti Viktor Yanukovych, ishte projektuar t’i ngjante një shtëpie të madhe gjuetari. Vizitorët mahniten nga luksi brenda saj, si llambat e lara në flori, mobiljet e shtrenjta, shkallët e ndërtuara nga një lloj mermeri i rallë ngjyrë blu dhe pianoja e bardhë nga kompania e njohur “Steinway”.
“Të lë pa fjalë. Por më vjenë shumë keq për mënyrën se si janë shpenzuar paratë për ta ndërtuar këtë shtëpi, duke patur parasyshë varfërinë që ekzistonte në Ukrainë. Është një ndërtesë fenomenale, dhe në të njejtën kohë shumë e trishtueshme”, thotë Prime Morfez, turist nga Irlanda.
Mijëra turistë kanë vizituar pronën e Yanukovych-it pas rënies së tij nga pushteti dhe largimit në Rusi në shkurt të vitit 2014. Prona më vonë u konfiskua nga shteti.
Yanukovych u vendos në këtë shtëpi pasi mori postin e kryeministrit të vendit në vitin 2002. Në vitin 2010 ai u zgjodh president dhe shërbeu në këtë posti deri vitin 2014, kur edhe u rrëzua nga pushteti.
“Yanukovych ndryshon nga të tjerët pasi ai vodhi gjithçka. Ndërsa oligarkët e tjerë prodhonin diçka ose kishin një korporatë, ai ishte një politikan që thjesht vodhi para. Një person normal nuk do të jetonte kurrë këtu”, thotë Alex Ayvirov vizitor nga Izraeli.
Tani kjo pronë është bërë një nga vendet më të njohura për të kaluar fundjavën për ukrainasit dhe destinacion për turistët e huaj.
Petro Oliynyk ishte ndër të parët që hyri brenda shtëpisë së Yanukovych-it në vitin 2014 dhe pa se si jetonte ish presidenti. Tani Petro punon këtu si guidë. Ai thotë se pasi Yanukovych u largua nga Ukraina, u gjetën mijëra dokumenteve, përfshi edhe llogaritë bankare.
“Sipas dokumenteve të gjetura, në këtë pronë u investuan më shumë se 2 miliardë dollarë. Katër milionë dollarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e shtëpisë “Mezhyhirya”. Të paktën 500 familje në Ukrainë jetojnë në pronat e tilla. Kjo të ndihmon për të kuptuar më mirë arsyet e varfërisë”, thotë ai.
Në vitin 2017, prona luksoze u kthye në pronësi të shtetit me urdhër të gjykatës. Guvernatori i rajonit, Denys Tarakhkotelyk thotë se ajo është tani në duart e publikut dhe një kujtesë për shpenzimet shfrenuese të zyrtarëve të korruptuar.
“Mezhyhirya është sot një park kombëtar. Kështu e quajnë atë njerëzit, nuk ka një status të tillë gjyqësor. Por, 100 për qind e njerëzve që e vizitojnë atë, zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas thonë se prona duhet të jetë një park kombëtar dhe Honka (shtëpia kryesore) muze i korrupsionit”.
Pjesë e kësaj prone janë edhe një kopsht zoologjik si dhe një fermë, dëshmi e jetës luksoze të një ish presidenti të korruptuar të rrëzuar nga pushteti.
Fraksion.com