“Nuk na tremb me ‘vëllezërit shqiptarë’”: Vuçiç sulmon Kitaroviç pas vizitës në Shqipëri
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është acaruar nga deklarimet e homologes kroate në Tiranë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila iu drejtua shqiptarëve me fjalën “vëllezër”.
Vuçiç e ka përkthyer si karshillëk ndaj serbëve një qendrim të tillë. Ai është shprehur se “nuk ndihet i frikësuar aspak” nga kjo.
“Serbia nuk kërkon vëllezërit, por miq”, tha kreu i shtetit serb, duke mos qenë dakort me këtë status marrëdhëniesh mes kroatëve dhe shqiptarëve.
“Sa prej tyre (shqiptarëve) humbën jetën për Kroacinë nuk më intereson. Nëse dikush mendon se unë jam frikësuar, i them se kjo nuk më tremb aspak”, tha Vuçiç.
“Shqipëria ishte miku ynë kur kishim nevojë…Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për Kroacinë, dhe më besoni -. Kroacia nuk do ta harrojë këtë”. Ne ishim vëllezër të armëve…”, ishin disa frazat e Kitaroviçit, të cilat kanë shqetësuar Vuçiçin.
Kohët e fundit ka patur një acarim të raporteve delikate serbo – kroate.
Dy vendet trashëgojnë një armiqësi ndaj njëra-tjetrës, e reflektuar dhe në luftën mes tyre në fillim të viteve ’90.
Armiqësia e tyre zë fill në Luftën e Dytë Botërore, ku kroatët patën regjimin ustash, bashkëpunues me fashizmin, për të cilin serbët pretendojnë se janë keqtrajtuar.
Fraksion.com