Italia nën akuza se ka shkaktuar vdekjen e refugjatëve
Italia ka hedhur poshtë kritikat se po ndjek politika të ashpra ndaj imigracionit, pas protestave para Ministrisë së Brendshme italiane me thirrjet se autoritetet italiane janë përgjegjëse për vdekjen e refugjatëve në det. Roma nuk lejon organizata joqeveritare, apo anije të shoqatave humanitare të zbarkojnë refugjatë në portet e saj. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, shifrat e sapo-publikuara tregojnë se politikat e reja italiane kanë rezultuar në uljen e numrit të refugjatëve të mbërritur në Itali, ndërkohë që Spanja është bërë destinacioni numër një për imigrantët që futen në territorin e Bashkimit Evropian.
Protestuesit u mblodhën të mërkurën para Ministrisë së Brendshme në Romë, duke përdorur bojë të kuqe për të ilustruar akuzat e tyre se qeveria italiane i kishte duart e lyera me gjakun e refugjatëve të vdekur.
Protestat lidhen me gjetjen në det të hapur të një anijeje të shkatërruar refugjatësh, nga një shoqatë humanitare spanjolle në ujërat e Libisë. Në anijen e shkatërruar ishin trupat pa jetë të një gruaje dhe një fëmijë; një grua tjetër u shpëtua gjallë. Shoqatat akuzojnë rojen bregdetare libiane se i kishte braktisur refugjatët:
“Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e pengimit të punës së shoqatave humanitare për të shpëtuar jetë në Mesdhe. Ky është rezultati,” thotë Oscar Caps, drejtor i shoqatës “Proactiva Open Arms”.
Qeveria italiane, një koalicion mes partisë së ekstremitë të djathtë Liga e Veriut dhe lëvizjes populiste Pesë Yjet, ka bllokuar qasjen e anijeve humanitare në portet italiane.
Në fillim të javës Italia u imponoi pesë vendeve të tjera evropiane të strehonin 450 imigrantë të shpëtuar në det, pasi Roma nuk pranoi fillimisht t’i lejonte të zbarkonin në porte italiane. Ministri i brendshëm italian shkruante në Twitter: Qeverisja koherente dhe pa-kompromis jep rezultat”.
“Unë synoj t’i shpëtoj të gjithë. T’i shëroj të gjithë. T’i ushqej të gjithë. Por nuk dua të lejoj që të gjithë të vijnë në Itali,” tha Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini.
Shifrat e publikuara nga agjencia e BE-së për Kufijtë, Frontex, tregojnë se tre mijë refugjatë përdorën korridorin detar drejt Italisë dhe Maltës muajin e kaluar, ose 87% më pak se në qershor 2017.
“Shifrat kishin rënë shumë edhe nën qeverinë e mëparshme si rezultat i disa marrëveshjeve mes Italisë dhe Libisë. Në fakt numri i refugjatëve që mbërrinin në Itali kishte rënë shumë. Tani politika që ndalon zbarkimin e refugjatëve nga anije të organizatave humanitare po e thellon këtë rënie. Për më tepër, ka rezultuar në një fitore të fortë politike për Ligën e Veriut, sidomos nga fakti që disa vende të tjera evropiane po detyrohen të pranojnë refugjatët që mbërrijnë në Itali,” thotë Luigi Scazzieri i Qendrës për Reforma Evropiane.
Kombet e Bashkuara thonë se një në shtatë refugjatë që është përpjekur të kalojë Mesdheun është mbytur që kur Italia mbylli portet për anijet humanitare. Ky qëndrim i prerë ka ulur numrin e refugjatëve, por me një kosto të lartë fatale. BE-ja po përpiqet të gjejë një zgjidhje, thotë zoti Scazzieri.
“Idetë që po diskutohen aktualisht janë aplikimet për azil jashtë territorit të BE-së, forcimi i rolit të Frontex-it, si dhe ndarja e barrës mes anëtarëve të BE. Ndërkohë që vazhdojnë diskutimet, vazhdon edhe paqartësia mbi ndikimin e politikave italiane”.
Spanja tani ia ka kaluar Italisë si vendi që pranoi numrin më të madh të refigjatëve në qershor me 6400 vetë. Por nuk ka gjasa që Spanja të bëhet një destinacion kryesor.
“Që Spanja të bëhet destinacion kryesor, refugjatët duhet të nisen nga Maroku, por ky nuk është një shtet thuajse i dështuar si Libia,” thotë zoti Scazzieri.
Në total numri i imigrantëve të paligjshëm që u futën në BE në gjysmën e parë të 2018-tës arriti në mbi 60 mijë vetë, duke shënuar një rënie prej afro 50% krahasuar me numrin e regjistruar një vit më parë.
Fraksion.com