Hamasi thotë se ka marrëveshje me Izraelin
Hamasi tha sot se ka arritur një marrëveshje me Izraelin, pas disa muaj tensionesh në rritje.
Megjithatë, sot në mëngjes një tank izraelit hapi zjarr ndaj një postblloku të Hamasit në Gazë, pasi disa palestinezë u përpoqën me forcë ta kalojnë kufirin. Nuk pati njoftime për viktima.
Njoftimi për ndalimin e luftimeve vjen një ditë pasi në kufirin problematik të Gazës u vranë një ushtar i izraelit dhe 4 palestinezë.
Ushtari ishte i pari anëtar i ushtrisë izraelite që vritet në Gazë që nga lufta e vitit 2014 mes Izraelit dhe Hamasit.
Si hakmarrje, të premten avionët luftarakë dhe tanket izraelite vunë në shënjestër 60 qendra të Hamasit.
Kombet e Bashkuara i bënë thirrje të dyja palëve të “përmbahen, për shkak të rrezikut të shpërthimit të luftës”.
Fraksion.com