Biznesmeni shqiptar Samir Mane afër blerjes së Ferronikelit
Ferronikeli i cili është në pronësi të kompanisë greke “Cunico Resources”, është duke iu shitur kompanisë nga shqiptare, “Balfin Group”, me pronar biznesmenin më të pasur në Shqipëri, Samir Mane.
Kompania e Manes, e cila mësohet se është në fazën finale të blerjes së ish-gjigantit, aktivitet me biznesin e xehes, ushtron edhe në Shqipëri, më saktësisht në minierën e Bulqizës, ku pushtetin lokal e ka LSI-ja e cila udhëhiqet nga bashkëshortja e presidentit Ilir Meta.
51-vjeçari është miliarderi i parë shqiptar. Ai është president dhe pronar i grupit BALFIN, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore.
Ndërkaq, ndërmarrja “Ferronikeli” është përballur me krizë ekonomike edhe në vitin 2017.
Prodhimi u ndal me 13 mars pasi rreth 820 punëtorë dhe 250 kontraktorë ndërprenë punën si shkak i mospagesës nga ana e menaxhmentit të kësaj fabrike.
Për ndaljen e prodhimit, menaxhmenti u deklarua se fabrika është duke u përballur me disa vështirësi teknologjike.
Telegrafi mëson se që nga muaji qershor punëtorët e kësaj fabrike nuk i kanë marrë pagat.
Ata thonë se ndjehen shumë të shqetësuar me të ardhmen e tyre, pasi siç thonë ata, shumë punëtorë tanimë kanë kredi nëpër banka në Kosovë dhe ndalja e punës në këtë fabrikë, po iu krijon probleme financiare.
Fraksion.com