AktualitetTë fundit

Zaganjori: Kam 40 vjet karrierë; Asnjë cent nga korrupsioni

Pasditen e sotme përfundoi edhe seanca dëgjimore e vettingut për Kryetarin e Gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori, i cili dëgjoi relacionin e KPK-së dhe dha sqarimet e tij për të gjitha gjetjet.

Në dalje të sallës, Zaganjori bëri një prononcim të shkurtër edhe për mediat e pranishme, duke theksuar se ka dokumentuar dhe sqaruar çdo çështje para gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Zaganjori u tha gazetarëve se kishte mbështetur reformën në drejtësi e cila ka vend për përmirësim dhe se drejtimin e Gjykatës së Lartë e kishte marrë si sfidë në karrierën e tij 40 vjeçare.

“Unë erdha këtu për të respektuar Komisionin, si dhe për të sqaruar dhe dokumentuar të gjitha gjërat. Kam shkuar deri në Gjermani për të mbledhur në kohë të gjitha dokumentet e duhura, për të raportuar mbi figurën time”, deklaroi Zaganjori.

“Kam 40 vite punë, kam firmosur me mijëra vendime dhe nuk kam përfituar asnjë cent në mënyrë korruptive”, tha ai.

Kreu i Gjykatës së Lartë u paraqit i vetëm në seancën dëgjimore, duke mos zgjedhur të mbrohet me avokat, ndërsa KPK-ja raportoi disa mospërputhje në disa nga deklaratat e tij të pasurisë.

Kështu sipas KPK-së ka probleme në deklarimin e një apartamente më tepër se 200 metra katrorë në pronësi të Zaganjorit, por edhe në deklaratën e shpenzimeve për arsimimin jashtë shtetit të fëmijëve të tij.

KPK caktoi datën 24 korrik për dhënien e vendimit.

 

Fraksion.com