Trump do të ftojë Putinin në Uashington
Presidenti Donald Trump i ka kërkuar këshilltarit të sigurimit kombëtar John Bolton të ftojë Presidentin rus Vladimir Putin në Uashington këtë vjeshtë.
Lajmi vjen nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders pas takimit Trump-Putinin këtë javë në Finlandë.
Zonja Sanders tha se “tashmë kanë filluar diskutimet” për një takim midis dy presidentëve në vjeshtë, shkruan Zëri i Amerikës.
Mendohet se takimi mund të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, por zonja Sanders nuk e përcaktoi vendin.
Në një koment të bërë të enjten në Twitter, President Trump shkruante se mezi priste takimin e dytë me presidentin rus.
Ndërkaq, Senati miratoi me shumicë dërmuese një rezolutë për të mos lejuar Rusinë të marrë në pyetje ish ambasadorin e SHBA në Moskë Michael McFaul apo zyrtarë të tjerë amerikanë. Votimi ishte një qortim i bërë zyrtarisht nga Senati ndaj Presidentit Donald Trump, i cili e bëri ofertën në samitin e Helsinkit me Presidentin rus Vladimir Putin.
Votimi u organizua me nxitim nga udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, pas një propozimi të demokratëve.
Putin ofroi të lejojë SHBA të marrin në pyetje 12 rusë të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në këmbim të lejimit të Rusisë për të marrë në pyetje amerikanët që Kremlini akuzon për krime të paspecifikuara.
Përballë kritikave nga të dyja partitë, Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Presidenti Trump nuk pajtohet me ofertën e Putinit. Deklarata u bë pak para votimit në Senat.
TRUMP: SAMITI, “NJË SUKSES I MADH”
Trump, duke komentuar në Twitter, e quante samitin e së hënës në Helsinki “një sukses të madh, përveç armikut të vërtetë të popullit, mediat e lajmeve të rreme”.
“Mezi pres takimin tonë të dytë, që të fillojmë zbatimin e disa prej shumë çështjeve të diskutuara, duke përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, mospërhapjen e armëve bërthamore, sulmet kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut dhe më shumë …” shkruante Presidenti Trump.
Në një tjetër cikël komentesh të enjten në mëngjes, presidenti amerikan akuzonte mediat kryesore të vendit se ishin “të dëshpëruara për të parë një konfrontim të madh me Rusinë, madje një konfrontim që mund të çonte në luftë”.
Nga ana e tij, Presidenti Putin po fajëson forcat politike brenda Shteteve të Bashkuara se u përpoqën për të minuar samitin e tij me homologun amerikan.
Në komentet e para publike lidhur me takimin e tij me Presdentin Trump, zoti Putin u tha diplomatëve rusë: “Ne shohim se ka forca në Shtetet e Bashkuara të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë sipas qejfit marrëdhëniet ruso-amerikane, t’i sakrifikojnë ato për ambiciet e tyre në një betejë të brendshme politike në Shtetet e Bashkuara”.
Presidenti rus tha se do të ishte “naive të mendohet se problemet” midis superfuqive më të mëdha bërthamore në botë “do të zgjidheshin brenda pak orësh”. Por ai tha se “rruga drejt ndryshimeve pozitive ka filluar gjithsesi. Është e rëndësishme që më në fund u arrit të bëhej një takim në shkallë të plotë, duke na lejuar që të flasim drejtpërdrejt dhe do të shohim se si gjërat do të ecin më tej”.
Zoti Putin gjithashtu la të kuptohet se bisedimet e së hënës çuan në “marrëveshje të dobishme”. Nga Shtëpia e Bardhë apo nga zyrtarë të tjerë të administratës nuk ka pasur hollësi për ndonjë marrëveshje të tillë.
Zëri i Amerikës u kërkoi zyrtarëve të shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi pohimin e zotit Putinit në lidhje me marrëveshjet e përmendura prej tij, por deri tani nuk ka patur një përgjigje.
Presidenti Trump u dënua gjerësisht nga figura të ndryshme politike amerikane, nga kolegë të tij republikanë dhe nga demokratë të opozitës, për ato që tha në konferencën e përbashkët të shtypit ditën e hënë në Helsinki me zotin Putin, ku e vuri veten në anën e presidentit rus i cili mohoi që Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar fitoren e zotit Trump.
Komentet e tij binin ndesh me përfundimet e komunitetit amerikan të zbulimit se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.
Pas kthimit nga udhëtimi i tij një javor në Evropë, Presidenti Trump i mori mprapsht pohimet e tij, duke thënë se ndërsa pranon që Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, fushata e tij nuk pati ndonjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë.
Në një intervistë të mërkurën, Presidenti Trump tha për rrjetin CBS News se ai i deklaroi Putinit që Rusia nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme të SHBA.
Kirsten Nielsen, sekretare e Departamentit të Sigurisë së Vendit, tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura për një orvatje ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet e këtij viti, duke shtuar se nuk ka dyshim që Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Por ajo shtoi se ajo nuk kishte “parë ndonjë dëshmi se përpjekjet për të ndërhyrë në infrastrukturën zgjedhore të SHBA ishin bërë për të favorizuar ndonjë parti të caktuar”.
Një raport i Komisionit të Senatit për Zbulimin i lëshuar dy javë më parë mbështeste përfundimin e tre agjencive amerikane të zbulimit se Rusia u përpoq të ndihmonte zotin Trump, kandidati i Partisë Republikane, të fitonte zgjedhjet.
Në një njoftim të ri, gazeta New York Times shkruante se zyrtarët kyç të sigurisë kombëtare në administratën e ish-Presidentit Barak Obama i paraqitën zotit Trump një raport të plotë mbi shkallën e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet dy javë përpara se Trump të merrte detyrën, duke veçuar rolin e drejtpërdrejtë të Presidentit Putin në këtë ndërhyrje.
Fraksion.com