Vrasja-vetëvrasja e Perëndimit
Nga Dejvid Bruks
Europa është “nëna” e kontinentit amerikan. Institucionet tona themelore, u trashëguan nga Europa. Demokracia jonë, është greke dhe britanike. Universitetet tona janë gjermane. Libri i mirësjelljes, që Xhorxh Uashington lexoi për të përmirësuar veten e tij, u përkthye nga frëngjishtja, dhe po të tilla ishin edhe idealet e Tomas Xhefersonit.
Europa përfaqësonte një rrugë drejt përparimit; Amerika e pa veten ta përqafonte atë rrugë, madje duke e tejkaluar kontinentin e vjetër. Pas revolucionit, siç ka shkruar historiani Xhozef Elis, amerikanët ishin të sigurtë se një brez i ri Shekspirësh, Dantesh dhe Ciceronësh, do të lindte në truallin e Amerikës së Veriut.
Si një komb i ri i pjekur, ne morëm atë që kishte Europa, dhe filluam demokratizimin e saj për qëllimet tona. Hoteli luksoz, është një pallat europian, i kthyer në një ndërmarrje tregtare. Frederik Lou Olmsted vizitoi Anglinë më 1850-ën, u mrekullua nga kopshtet e aristokracisë, u kthye në Amerikë dhe shndërroi ato që ai pa në parqe të mëdha publike – Central Park, fushat pranë Kapitol Hillit, dhe shumë të tjera.
Pastaj, si një komb i pjekur, ne u bëmë partnerë të prindërve tanë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u krijua një perëndim i ri-farkëtuar, i udhëhequr nga amerikanët. Kishte përplasje dhe rivalitete, por nën të, kishte një ndërgjegjësim të pashprehur – se këta janë të afërmit tanë.
Ky partneritet transatlantik, ishte një arritje e madhe historike, një përpjekje e papërcaktuar dhe e papërsosur për të zgjeruar demokracinë, për të zgjeruar të drejtat, për të zgjeruar lirinë dhe për të ndërtuar një botë të diktuar nga drejtësia dhe jo nga forca. Që nga viti 1945, është gjëja që të gjithë e kemi marrë si të mirëqenë.
Gjatë fundjavës që lamë pas, Trump ia nështroi partneritetin kërcënimeve. Ai tha se Bashkimi Europian është “armiku” ynë. Të hënën, Trump u rreshtua haptazi krah Vladimir Putinit, i cili është bërë armiku më i madh moral dhe politik i marrëdhënieve euro-amerikane.
Trump hodhi në thelb poshtë një projekt, që e ka orientuar ndër shekuj kulturën dhe politikën amerikane. Ai na tregoi një botë, ku etika qendrore është që fuqia mund të përfaqësojë të drejtën.
Por mbani mend, Donald Trump ekziston vetëm për t’i vënë një kapak çdo prirje helmatisëse që e parapriu atë.
Duhen shumë duar për të “vrarë” lidhjen euro-amerikane. Politikanët dhe analistët e krahut të djathtë, filluan ta përdorin Europën si një tabelë qitjeje për liberalët amerikanë. Ata janë një bandë socialistësh të pafe, ashtu si ata heretikët në Berkli dhe Kembrixh.
Sulmet ndaj BE-së, u bënë motoja unifikuese e konservatorëve. Edhe progresistët ranë në kurthin helmues të racizmit. Ata shihnin lavditë e Aristotelit, Shekspirit dhe Mozartit, dhe gjëja më interesante që ata duhej të thoshin, ishte se ata ishin meshkuj të bardhë që kishin vdekur. Historianët e ardhshëm, do të mrekullohen kur të analizojnë se si njerëzit e sofistikuar, e bënë me dashje veten për t’i parë gjërat kaq thjeshtë.
Eurocentrizmi u bë një kod fjalësh për kolonializmin, shtypjen dhe privilegjin, duke e marrë një pjesë të historisë europiane, si një simbol të të gjithës. Europianët nuk ndihmuan. Pas Luftës së Ftohtë, ata i janë përkushtuar një projekti post-nacionalist, që është shumë lart-poshtë dhe teknik, dhe që tani po shkatërrohet.
Projekti politik euro-amerikan, po i afrohet tashmë ditëve të fundit të ekzistencës. Xhorxh W. Bush u zu me Europën për luftën në Irak. Barak Obama e braktisi për rajone të tjera. Tani, siç shkruan Robert Kagan në “The Washington Post”, Trump po qëllon me varre Aleancën e Atlantikut.
Trump mund të ketë shkuar në samitin e javës së kaluar të NATO-s, duke i njohur vetes meritën e vetme të rritjes së shpenzimeve ushtarake europiane. Në vend të kësaj, ai i poshtëroi europianët, ripohoi kërcënimet për një luftë tregtare me Europën, dhe e bëri të pamundur që udhëheqësit europianë të bënin gjithçka që mund të duket se e mbështeste atë.Këto janë veprimet e një njeriu që dëshiron që aleanca të dështojë.
Përqafimi i Putinit të hënën, ishte një valle triumfi mbi varrin euro-amerikan.
“Kjo nuk është vetëm grindja e radhës brenda familjes”-shkruan Kagan. “Aleanca demokratike, që ka qenë themeli i rendit botëror liberal të udhëhequr nga amerikanët, po shpërbëhet. Në një moment, dhe ndoshta më shpejt se sa shpresuam, paqja globale, që ajo aleancë dhe ai rend i nënvleftësuar, do të shpërbëhen gjithashtu. Megjithë dëshirën tonë njerëzore për të shpresuar për më mirë, gjërat nuk do të jenë aspak në rregull”.
Kagan po shkruante para konferencës për shtyp të së hënës, dhe tani çështja e tij kryesore është dyfish e vërtetë. Nëse keni menduar që ne mund të hipim në stuhinë Trump dhe pastaj të kthehemi në normalitet, ju me siguri mund të shihni tashmë se kjo pikëpamje është e gabuar. Rregullimet themelore të botës sonë po rimëkëmben.
Sot, Europa dhe Amerika përballen me rreziqe dhe probleme të përbashkëta – duke përfshirë edhe ngritjen e udhëheqësve të dorës së fortë, që duan të ribëjnë rendin botëror. Ne kemi humbur lidhjet, që mund të na lejonin t’i luftonim së bashku. Më keq akoma, ujqërit nuk janë thjesht në kasolle; ata janë në dhomën ku merren vendimet. Kini kujdes se çfarë mund të ndodhë, nëse dilni nga rreshti. /The New York Times
Fraksion.com