Trump, detyrim për të mbrojtur Malin e Zi?
Presidenti amerikan Donald Trump duket se e vuri në dyshim detyrimin e SHBA për të mbrojtur Malin e Zi në kuadrin e NATO-s.
“Mali i Zi, – tha ai – ka njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime, jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore”.
Presidenti i bëri komentet gjatë një interviste me komentatorin Tucker Carlson të rrjetit Fox News, pasi u pyet se përse duhet që ushtarët amerikanë të shkojnë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë vend nga një sulm i mundshëm.
Presidenti Trump i ka kritikuar shpesh anëtarët e tjerë të NATO-s rreth kontributit të tyre financiar për aleancën, duke thënë se SHBA mbajnë pjesën më të madhe të barrës.
NATO-ja, e themeluar në vitin 1949 për të frenuar kërcënimin ushtarak të Bashkimit Sovjetik, mbështetet në epërsinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me një mori kërcënimesh në kufijtë e Evropës, duke përfshirë Rusinë.
Angazhimi për mbrojtje reciproke është shtylla e aleancës së NATO-s.
Biseda Carlson-Trump në Fox News.
CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?
TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.
CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.
TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.
Fraksion.com