Shtypi gjerman për negociatat Kosovë – Serbi: Film i njëanshëm
Pas takimit të pasuksesshëm të mërkurën mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq, shtypi gjermanofon i kushton vëmendje ngecjes së negociatave mes dy vendeve por edhe një filmi mbi serbët e shqiptarët.
NZZ vëren se të paktën “të dyja palët kanë rënë në ujdi që të mos nxisin konflikte të reja”. Por duket se Vuçiq ka qenë i pakënaqur. NZZ citon presidentin serb të ketë thënë “kështu nuk funksionon”, lidhur me kërkesën e Prishtinës për njohjen e Kosovës. “Të nevojshme janë kompromise”. Por se për çfarë kompromisi bëhet fjalë, këtë nuk e përmend as NZZ dhe as presidenti Thaçi e Vuçiq nuk e përmendën të mërkurën.
Një film i njëanshëm
Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje një filmi që transmentohet nga televizioni ARTE të enjten në mbrëmje, (19.07) një bashkëpunim gjermano-serb me titullin “Enklava” duke e cilësuar atë si një melodramë të Kosovës dhe në mënyrë të padurueshme të njëanshëm.
“Heroi i filmit është 10 vjeçari serb, Nenad…qe jeton me familjen e tij në një… enklavë, që do të thotë që ai përditë duhet të shkojë në shkollë me një automjet të blinduar të KFOR-it, në një shkollë, ku ai është i vetmi nxënës i të vetmes mësuese. …Këtij fëmije i jepet roli të jetë një naiv i guximshëm. Nenad kërkon të luajë me fëmijët e i jepet kësaj dëshire, duke luajtur kukafshehthi me tre djem shqiptarë. Për një moment në film të duket i mundur mirëkuptimi brenda gjeneratës së re, por situata ndryshon, kur pa shkak Bashkimi, lideri i grupit, nuk ia fal Nenadit që serbët i kanë vrarë babanë e tij. ‘Unë nuk kam vrarë askënd’, i përgjigjet Nenadi.”
FAZ i kushton vëmendje prezantimit të ndryshëm të të dyja palëve në konflikt në film duke theksuar se prezantimi i shqiptarit në film është i ngarkuar nga klishetë. “Jo vetëm që përballë Nenad, figurës simpatike të filmit qëndron një Bashkim i pashkolluar,(asnjë nga djemtë shqiptarë nuk shkon me sa duket në shkollë), por vështrimi i përgjithshëm ndaj Kosovës është i ndarë çuditshëm mëdysh: Këtu shtypja heroike e serbëve krenarë,…andej shqiptarët myslimanë të paraqitur në çdo rast si të prapambetur,… të cilët mezi presin një rast të gënjeshtërt për t’u bërë të dhunshëm.”
Fraksion.com