AktualitetRajoniTë fundit

Mali i Zi u përgjigjet komenteve të presidentit Trump

Mali i Zi tha se “kontribuon për paqen” në përgjigje të komenteve të fundit të Presidentit Donald Trump, i cili la të kuptohet se “njerëzit shumë agresivë” të Malit të Zi mund të bëhen shkak për fillimin e Luftës së Tretë Botërore.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, qeveria malazeze tha se “kontribuon për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në kontinentin evropian, por në mbarë botën, së bashku me ushtarët amerikanë në Afganistan”.

Kjo çështje u shfaq kur Trump kritikoi përsëri NATO-n gjatë një interviste me Tucker Carlson të kanalit Fox News, i cili e pyeti se pse djali i tij duhet të shkonte për të mbrojtur Malin e Zi nëse ky sulmohej.

Intervista u zhvillua të hënën pas takimit të Presidentit Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki. Rusia nuk e priti mirë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në vitin 2017 dhe marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar ndërkohë që vendi ballkanik po krijon lidhje më të ngushta me Perëndimin.

Komentet u bënë kur gjatë intervistës në Fox News po diskutohej për Nenin 5, klauzola për mbrojtjen reciproke të NATO-s që thotë se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare.

Kryeministri malazez Dushko Markoviç tha se komentet e zotit Trump nuk ishin “në kontekstin e justifikimit të ekzistencës së NATO-s, por të financimit të NATO-s”.

Biseda Carlson-Trump në Fox News.

CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?

TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.

CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.

TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.

 

Fraksion.com