Putin: Ideja e ndërhyrjes ruse, “qesharake”
Presidenti rus Vladimir Putin mohoi të ketë të dhëna kompromentuese për Presidentin amerikan Donald Trump, si dhe e quajti “tërësisht qesharake” idenë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Intervista e zotit Putin me kanalin Fox News, u transmetua në mbrëmje, pasi udhëheqësi rus u takua me Presidentin Trump në samitin e shumëpritur në Helsinki.
“Ne nuk disponojmë ndonjë gjë, ndërsa mund të ketë çfarëdolloj gjërash. Nuk dua ta ofendoj Presidentin Trump, pasi mund të duket e pasjellshme kjo që po them. Por, përpara se të njoftonte se do të kandidonte për president, ai nuk përbënte fare interes për ne”, deklaroi zoti Putin.
Zoti Putin gjithashtu refuzoi të diskutojë me gazetarin Chris Wallace, për akuzat e ngritura ndaj 12 shtetasve rusë nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.
Ndërsa për sa i përket samitit, zoti Putin e përkufizoi si “fillimin e rrugës” së tërheqjes nga përpjekjet e dështuara të Perëndimit në të kaluarën, për të izoluar Rusinë.
Fraksion.com