AktualitetEkonomiTë fundit

Pastrimi i parave, bankat nuk justifikojnë mbushjen e llogarive të biznesit me cash më 2017

Gjatë vitit të kaluar janë vërë prurje të mëdha cash-i në llogaritë e bizneseve në banka nga persona të tjerë, të cilat nuk kanë mundur të justifikohen nga punonjësit e bankave. Inspektorët e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë në inspektimet e tyre gjatë vitit të kaluar kanë gjetur mospërputhje të veprimeve të bankave me ligjet dhe rregulloret e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.

“Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, të cilat mbeten kryesisht në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike (cash) në llogaritë individuale dhe tregtare” thuhet ne konkluzionet e inspektimeve të Bankës Qendrore.

Kontrollet kanë zbuluar se ka raste që bankat nuk disponojnë dokumentacionin dhe njohuritë për marrëdhëniet ndërmjet disa kompanive që kryejnë transferta hyrëse në shuma të mëdha në llogaritë e tyre.

Vitin e kaluar sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë u vu re një rritje e pazakonte e llogarive të biznesit. Nga Mars 2017 deri në janar 2018 depozitat e biznesit në banka u rritën me 140 milionë euro, teksa depozitat e individëve nuk ndoqën këtë trajektore, përkundrazi kursimet e tyre ranë.

Më tej Banka e Shqipërisë në inspektimet e saj me fokus me rastet e pastrimit të parave ka gjetur  transaksione të pajustifikuara të kryera për punonjësit e bankës.

Në rast të tjera u gjetën mospërputhje e të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tij.

Bankat nuk kishin identifikimin e saktë të strukturës së pronësisë në momentin e inicimit të marrëdhënies së biznesit me kompanitë me aksione të prurësit, ku nuk janë përdorur dokumente ligjërisht të vlefshme si dhe nuk janë monitoruar në vazhdimësi për ndryshime të mundshme në strukturën e pronësisë.

Gjithashtu janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve biznes në sistem, si dhe të klasifikimit të klientëve sipas rrezikut, ku u konstatuan mangësi në kundërshtim me  ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Në lidhje me pastrimin e parave, Banka e Shqipërisë ka referuar se Vlerësimi i Integruar i Transfertave, rezultoi me rrezik të ulët për 3 subjekte, me rrezik mesatarisht të ulët për 2 subjekte (2 banka), me rrezik mesatarisht të lartë për 4 subjekte (4 banka) dhe me rrezik të lartë për 14 subjekte (10 banka dhe 4 IFJB).

Vlerësimi i integruar i transfertave përbëhet nga integrimi i dy vlerësimeve, vlerësimi i numrit të transfertave dalëse dhe hyrëse, si brenda dhe jashtë vendit, si dhe vlerësimit të vlerës së transfertave dalëse dhe hyrëse, si brenda dhe jashtë vendit.

 

Depozitat në total në rënie

Ndryshe nga tendenca e bizneseve, kursimet në sistemin bankar kanë shënuar në maj një tjetër rënie të fortë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit maj, stoku total i depozitave në lekë dhe në valutë zbriti në 968 miliardë lekë, duke rënë me gati 10 miliardë lekë, ose 1% në krahasim me muajin e mëparshëm (70% e rënies erdhi nga tkurrja e kursimeve në valutë). Ky është niveli më i ulët i depozitave që nga korriku i vitit 2015.

Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kursimet e shqiptarëve në banka janë ulur me 33.4 miliardë lekë, ose me rreth 250 milionë euro.

Kjo rënie për 5 mujorin ka ardhur si nga ulja e depozitave në lekë, ashtu dhe në valutë. Kursimet në lekë ranë me 15 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë u reduktuan me 18.5 miliardë lekë.

Ndërsa tkurrja e depozitave në valutë ka dhe efektin e zhvlerësimit të euros (që mesatarisht në pesë muajt e parë të vitit këmbehej me 130 lekë, nga rreth 135 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënie e depozitave në monedhën vendase ka ardhur  kryesisht nga ulja e kursimeve të individëve me afat në lekë. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit të depozitave, që erdhi pas politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e parëse dhe nxitur investimet, ka bërë që individët të mos i shohin më bankat si një alternativë fitimprurëse për të depozituar kursimet e tyre. Teksa norma bazë e Bankës së Shqipërisë u ul nga 5.25% në shtator 2011 në rreth 1% aktualisht, edhe interesat e depozitave kanë zbritur në më pak se 1% për kursimet vjetore. Në kërkim të fitimeve më të mëdha, individët kanë kaluar në investime më afatgjata, apo në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.

Kursimet në valutë vijojnë të dominojnë, duke përbërë 52.6% të totalit të depozitave që kanë shqiptarët në fund të muajit maj. Në nëntor të vitit 2015, për herë të parë depozitat në valutë (ku dominon euro) për herë të parë i kaluar ato në lekë dhe kjo tendencë ka vijuar të bëhet më e fortë dhe pavarësisht strategjisë së Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e përdorimit të euros në ekonomi, monedha e përbashkët vijon të mbetet e preferuara e kursimtarëve.

 

Fraksion.com