AktualitetBota+Të fundit

Obama: Bota po kalon kohë të çuditshme e të pasigurta

Ish-presidenti amerikan Barak Obama shprehet se bota po përjeton “kohë të çuditshme dhe të pasigurta”. Në një fjalim me komente që u panë si goditje ndaj politikave të pasuesit të tij, Donald Trump, zoti Obama paralajmëron për përhapjen e “politikave të frikës dhe urrejtjes” të ushqyera nga udhëheqës që nuk përfillin faktet me një “paturpësi të plotë”.

Ish-presidenti amerikan Barak Obama i bëri komentet në një fjalim të martën në Johanesburg, ku po nderonte simbolin e luftës për drejtësi, Nelson Mandela. Pa përmendur me emër Presidentin Donald Trump, zoti Obama sulmoi një numër prirjesh që ka ndjekur administrata aktuale. Ai kritikoi qëndrimet që mohojnë ndryshimet klimatike, politikat e imigracionit të bazuara në dallime racore, rendjen e shfrenuar pas fitimeve kapitaliste dhe “qeverisjen me dorë të fortë” – të gjitha shembuj të politikave që ka ndjekur administrata Trump.

Të gjitha këto politika, tha zoti Obama, gjenerojnë “tituj shqetësues e marramendës lajmesh. Prandaj e mendova me vend të ofroj një perspektivë tjetër”.

“Është pjesërisht rezultat i dështimeve të qeverisjes dhe të elitave të fuqishme që tani bota është në rrezik të rikthehet tek një rend i vjetër, më i rrezikshëm, një mënyrë biznesi më e pamëshirshme”.

Lidhur me imigracionin, ai bëri një kritikë më të drejtëpërdrejtë ndaj politikave të administratës aktuale: “Nuk është gabim të këmbëngulësh se duhen respektuar kufijtë shtetërorë, por ky argument nuk mund të përdoret si justifikim për politika imigracioni që bazohen tek dallimet racore, etnike dhe fetare”.

Ai kritikoi skeptikët që hedhin dyshime për ndryshimet klimatike, një qëndrim që është përqafuar nga administrata Trump dhe konservatorë në SHBA, me gjithë faktet shkencore që mbështesin ekzistencën e problemit.

“Duhet t’u besojmë fakteve; pa fakte nuk ka baza për bashkëpunim,” tha zoti Obama.

Turma e mbledhur për të dëgjuar ish-presidentin reagoi me të qeshura, kur zoti Obama tha: “Sot politika duket se nuk do t’ia dijë as për të vërtetën objektive, njerëzit sajojnë gjëra vetë”.

Zoti Obama goditi “udhëheqësit politikë, të cilëve u ka dalë plotësisht turpi. Ata kapen duke gënjyer dhe për t’u justifikuar dhe mbuluar veten, thonë gënjeshtra të tjera”.

Ish-presidenti Obama foli para një turme me më shumë se 10 mijë vetë të mbledhur në një stadium kriketi në Johanesburg në një aktivitet për të festuar 100 vjetorin e lindjes së Nelson Mandelës. Zoti Obama e ka përmendur disa herë shembullin e Mandelës si një ndër frymëzimet më të mëdha të jetës së tij./VOA

 

Fraksion.com