AktualitetEkonomiTë fundit

Nafta dhe mineralet “shpëtojnë” eksportet: Rriten 18.3% për 6 mujorin; Ndalen tekstilet

Në 6 muajt e parë të këtij viti, kompanitë shqiptarë shitën jashtë vendit 158 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 18.3% me bazë vjetore. Vetëm në qershor, zgjerimi i eksporteve ishte 17.8%. Dy grupet kryesore që po udhëheqin rritjen janë “minerale, lëndë djegëse dhe energji” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, ndërkohë që “tekstilet dhe këpucët” po vijnë në ngadalësim, duke reflektuar efektet e zhvlerësimit të euros.

Shitjet jashtë vendit të “tekstileve dhe këpucëve”, grupi më i madh i eksportuar në vend, arritën në 63.3 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 9.3% për 6 mujorin e parë të vitit. Por, sektori ka ndalur rritjen, teksa në qershor, eksportet e këtij grupi u zgjeruan me më pak se 4%, ritmi më i ulët që prej shumë muajsh, teksa deri pak kohë më parë ritmet e rritjes ishin dyshifrore. Eksportuesit e tekstileve e këpucëve janë ankuar vazhdimisht për efektin negativ që po vjen nga zhvlerësimi i euros, që aktualisht është stabilizuar në 126 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 139-140 lekë që këmbehej mesatarisht në periudhën 2010-gjysma e parë 2016. Pavarësisht efekteve të kursit, industria vijon t’i gëzohet një kërkese të lartë nga partnerët e huaj. Eksportuesit kanë deklaruar më herët për Monitor se nëse vazhdon kjo situatë do të detyrohen të ulin investimet e shkurtojnë vendet e punës, në mënyrë që të amortizojnë humbjet nga efekti i zhvlerësimit të euros.

Shitjet e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë” i janë rikthyer tendencës pozitive, pas dy vitesh performance të dobët, duke “shpëtuar” gjithë eksportet . Eksportet e këtij grupi u rritën me 34% me bazë vjetore për 6 mujorin, duke arritur në 30.7 miliardë lekë dhe duke kaluar sërish në grupmallin e dytë më të eksportuar në vend. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë, atë të Patos Marinzës, ka rritur ndjeshëm eksportet si rjedhojë e konjukturës më të favorshme ndërkombëtare dhe mbylljes së rafinerisë ARMO, të cilës i shiste gjysmën e prodhimit gjatë vitit të kaluar. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë grup është edhe ringjallja e industrisë minerare, e cila është para një hovi të ri prej investimeve të reja, me rreth 25 milionë euro në sektorin e përpunimit, me dy linja të reja nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në fund të këtij viti dhe gjatë 2019. Rritja e çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe së fundmi kromit, ka riaktivizuar investime të reja në nxjerrje. Po vihet në punë miniera e kromit në Vlahën të Kukësit, me një investim 10 milionë euro nga kompania turke Ekin Maden Ticaret dhe Beralb riaktivizon edhe një herë vendburimet e bakrit pas një “pushimi” dyvjeçar.

Pozitivisht në muajt e parë të vitit ka ndikuar dhe eksporti i energjisë si rrjedhojë e situatës së favorshme me reshje, që i mundësoi KESH të shtonte të ardhurat, por dhe ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen ekonomike në tre muajt e parë të këtij viti.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “materiale ndërtimi dhe metale” ka vijuar me tendencën pozitive, i ndikuar nga riaktivizimi i kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum, tek e cila ka funksionuar procesi i falimentit për efekt ristrukturimi, i nisur në mars 2016. Tashmë kompania, sipas burimeve të saj po shlyen normalisht kreditë dhe i është rikthyer tregjeve të huaja, teksa më shumë se gjysma e prodhimit po eksportohet,  ku vendin kryesor e zë Kosova, e ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e më pak në Serbi. Eksportet e këtij grupi arritën në 27 miliardë lekë, me një rritje prej 28.6%.

Eksportet e “ushqime, pije e duhan” u rritën me 14.9% duke arritur në 15.6 miliardë lekë.

Pozitive ka qenë dhe ecuria e grupit “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”, që u rrit me 20.7%, për të arritur në 8.4 miliardë lekë për 6 mujorin. Janë dy kompani gjermane të cilat punojnë me systemin e materialit të porositësit për prodhimin e sistemit të kabllove për autobusët, Forschner, që ka filluar punë në vitin 2015 dhe PSZ Albania, që ka hapur fabrikën në Shqipëri në vitin 2012, duke sjellë një rritje të ndjeshme të eksporteve të grupit “Tela, kabllo, përcjellës etj.”. Kompania Forschner ndërkohë po punon për zgjerimin me ndërtimin e një fabrike të dytë me një sipërfaqe prej 25-30 mijë metrash katrorë (për vetë proceset e punës kërkohen ambiente të mëdha). Investimi pritet të jetë në total rreth 13.5 milionë euro (7.5 milionë euro për ambientet dhe pjesa tjetër për pajisjet), që do të hapë edhe 1200 vende të tjera pune.

Sipas INSTAT, në ndryshimin vjetor të eksporteve nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje,“Tekstile dhe këpucë”  me +4,0 pikë përqindje.

 

Deficiti në rënie

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 158 mld lekë, duke u rritur me  18,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 309 mld lekë, duke u rritur me 4,7 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 151 mld lekë, duke u ulur me 6,6 %, krahasuar me 2017.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +2,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë”  me +0,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,4 pikë përqindje./Monitor

 

Fraksion.com