AktualitetNATO/BETë fundit

BE e shqetësuar nga sulmet izraelite në Gaza

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka shprehur shqetësime për sulmet e fundit izraelite mbi Rripin e bllokuar të Gazës, duke i cilësuar ato si më të rëndat që nga viti 2004.

“Shohim se Izraeli kryen sulmet më të rënda në Gaza që nga viti 2004. Kjo gjë është shqetësuese”, tha Mogherini pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme.

“Ne të gjithë u pajtuam të përdorim të gjitha kanalet tona për t’u bërë thirrje palëve të hedhin hap mbrapa, të ndalojnë dhunën, të parandalojnë një luftë tjetër dhe të lehtësojnë situatën për njerëzit në terren”, shtoi shefja e diplomacisë së BE-së.

Mogherini po ashtu theksoi së një nga pikat kryesore të agjendës së takimit të sotëm ishte edhe denuklearizimi i Gadishullit Korean.

“Në mënyrë që sanksionet e BE-së të shfuqizohen, duhet të përfundojë procesi i denukearizimit të plotë dhe të konfirmuar”, tha Mogherini.

Duke folur për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Mogherini tha se kanë vendosur të përditësojnë “statutin bllokues”, i cili do të pengonte që firmat evropiane të zbatonin sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit dhe i cili nuk njeh vendimin e asnjë gjykate që do të zbatonte dënimet amerikane, në mënyrë që do të përfshijë edhe Iranin.

Statuti bllokues i BE-së ishte përgatitur për tejkalimin e sanksioneve amerikane ndaj Kubës, por asnjëherë nuk kishte hyrë në fuqi.

Presidenti amerikan Donald Trump më 8 maj tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore mes shteteve P5+1 dhe Iranit, duke paralajmëruar sanksione të rënda.

Firmat e rëndësishme evropiane kishin filluar tregtinë dhe investimet në Iran pas marrëveshjes me Iranin, ndërsa së fundmi kanë qenë të shqetësuara nga dëmet e mundshme nga sanksionet amerikane në rast të vazhdimit të bashkëpunimit me Iranin./AA

 

Fraksion.com