AktualitetKosovaTë fundit

Vetëvendosje: Vendimi i Qeverisë për 53 milionët mund të anulohet

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sërish anulimin e vendimit të Qeverisë për dhënien e 53 milionë eurove shtesë kompanisë “Betchel & Enka”, për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në një konferencë për media, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se, sipas informacioneve që kanë, ende nuk është nënshkruar kontrata me këtë kompani, raporton Ekonomia Online.

Sipas Aliut, i jep mundësi Qeverisë të anulojë këtë vendim dhe të evitojë dëmin prej 53 milionësh

Aliu, më tutje, ka shtuar se, nëse kjo kontratë është nënshkruar, organet e drejtësisë duhet t’i gjejnë fajtorët për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit.

“Kërkesat  e rezolutës lidheshin me transparencën dhe parandalimin e dëmit që i shkaktohet buxhetit. Ka qenë shans i mirë për qeverinë Haradinaj të hiqte barrën. Moskalimi i rezolutës dhe kokëfortësia e Qeverisë është shqetësues tej mase Dhe na obligon të veprojmë. 53 milionë euro janë tepër të vlefshme, do të nderoheshin 10 shkolla, çerdhe”.

“Ende nuk është lidhur kontrata, ka ende kohe qe demi te evitohet duke anuluar ky vendim. Kërkojmë nga organet e drejtësisë të hetojnë dhe të mos lejojnë procedimin tutje te vendimit. Nëse është nënshkruar kontrata, drejtësia duhet të veprojë drejt hetimit dhe sjelljes para drejtësisë së autoreve. Organet e shtetit duhet t parandalojnë dëmin dhe ato para të shkojnë në sektorë që Kosova ka nevojë”.

“Ai vendim është shkelje. Fakte për këtë, janë pare edhe në raportin e ministrit që ka dhënë në komision. Duhet të veprojë shteti, Qeveria duhet të anulojë vendimin. Nëse s’ka rënë shteti, ai duhet të veprojë dhe të parandalojë nëse ende nuk ka ndodhur, nëse ka ndodhur t’i vendosë para drejtësisë fajtorët”, ka thënë Aliu,/EO

 

Fraksion.com