Takimi Trump-Putin: Trump, “Bota po na vëzhgon”.
Donald Trump dhe Vladimir Putin janë ulur ballë për ballë në Pallatin Presidencial finlandez përpara bisedimeve private ‘koke me koke’ 90-minutëshe që synon rindërtimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Rusisë.
Samiti në Helsinki është një takim kokë më kokë dhe një drekë pune më e madhe, që do të përfundohet me një konferencë të përbashkët për shtyp.
Është hapur me një shtrëngim duarsh që zgjati rreth 3 sekonda takimi mes dy liderëve, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump në Helsinki.
Fillimi ka qenë i vështirë, për të thyer akullin mes dy presidentëve që me sa duket s’dinin nga t’ia fillonin. Por situatën e ka marrë në dorë Trump, që i ka dhënë “leje” Putinit të ulet dhe të marrë fjalën. Trump mbante kravatë të kuqe, ndërsa Putin të zezë.
“Nuk kemi shkuar shumë mirë vitet e fundit, por besoj se do të kemi një raport të mirë në të ardhmen, të shkojmë mirë me Rusinë është një gjë pozitive, jo negative”, ka thënë Trump. Që më pas shtoi: “Bota po na vëzhgon”.
Në çeljen e samitit të tyre në Helsinki të Finlandës, Trumpi deklaroi se pret një marrëveshje të jashtëzakonshme mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes Amerikës dhe Rusisë janë acaruar së tepërmi që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014, e tani pritet me kureshtje të madhe se çfarë do të prodhojnë bisedimet në kryeqytetin neutral finlandez.
Para fillimit të bisedimeve konfidenciale, presidenti rus iu drejtua homologut të tij amerikan: “Është koha për t’u përballur me pikat e dhimbshme. Kemi kontakte të vazhdueshme. Kemi folur në telefon disa herë në kuadër të ngjarjeve të ndryshme ndërkombëtare. Dhe sigurisht që ka ardhur koha të flasim në mënyrë thelbësore në lidhje me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe çështjet e ndryshme në botë.”
“Është mirë të jesh këtu me ju”, shtoi presidenti amerikan duke iu drejtuar Putinit.
Fraksion.com