Fillon takimi Trump – Putin
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se afrimi me Rusinë do të jetë “gjë e mirë, jo e keqe”. Ai i bëri këto komente në deklaratat para takimit kokë më kokë me presidentin rus Vladimir Putin.
“Më e rëndësishmja, ne kemi shumë gjëra për të biseduar”, tha presidenti Trump, pasi përgëzoi Rusinë për kampionatin botëror të futbollit. Të dy presidentët do të flasin “për gjithcka, nga tregu tek ushtria, raketat dhe Kina. Do të flasim pak edhe për Kinën, për mikun tonë të përbashkët Xi”, tha presidenti Trump.
Vetëm pak orë para takimit të shumëpritur, Vladimir Putin, shfrytëzoi mediet sociale për të shpallur fajtorët për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Moskës.
Presidenti Trump, shkroi në twitter: “marrëdhëniet tona me Rusinë kurrë nuk kanë qenë më të këqia, falë budallallëkut dhe marrëzisë amerikane dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’!” – duke iu referuar hetimeve të këshilltarit të posaçëm lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
I pyetur nga gazetarët gjatë një mëngjesi pune me presidentin finlandez, Sauli Niinis, presidenti Trump u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe me Helsnikin dhe takimin e lartë të NATO-s, javën e kaluar.
“Takimi i NATO-s ishte i vështirë në fillim dhe në fund u shndërrua në dashuri”, tha ai.
“Ata po paguajnë dhe po e bëjnë këtë shumë më shpejt dhe unë mendoj se NATO-ja kurrë nuk ka qenë më e fortë sesa sot”, tha presidenti Trump, duke iu referuar zotimeve të vendeve anëtare për më shumë shpenzime të mbrojtjes.
Finlanda është pjesë e Bashkimit Evropian, por jo anëtare e plotë e paktit të NATO-s.
Disa mijëra protestues u mblodhën në sheshin e Senatit në Helsinki të dielën ku ishin përfshirë veprimtarë të mjedisit, të të drejtave të refugjatëve dhe kundër luftës.
Në disa nga parullat e protestuesve thuhej: “Diktatorët nuk janë të mirëseardhur”, “Trump është satanai i mjedisit” dhe “Stop vrasjes së gazetarëve”.
Presidenti Trump tha të dielën se nuk ka pritshmëri të madhe nga takimi me presidentin rus, ndërsa lëshoi një qortim tronditës ndaj asaj që tradicionalisht është vlerësuar si një nga aleatet kryesore të Uashingtonit.
“Mendoj se kemi shumë armiq”, i tha ai televizionit CBS News, kur u pyet për armikun më të madh të Shteteve të Bashkuara. “Mendoj se Bashkimi Evropian është armik. Ju nuk do të mendonit për Bashkimin Evropian, por ata janë një armik”. Presidenti Trump tha gjithashtu se Rusia është një armik “në disa aspekte”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u përgjigj shpejt në Twitter: “Amerika dhe BE-ja janë miqtë më të mirë. Kushdo që thotë se janë armiq, përhap lajme të rreme”.
Presidenti amerikan nuk tha se cilat janë synimet e takimit të parë me zotin Putin, por premtoi se “nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe” nga takimi.
Të dy udhëheqësit kanë pasur rastin të bisedojnë më parë gjatë takimeve ndërkombëtare. “Mendoj se është mirë të takohemi. Unë besoj në takimet. Takimet me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut janë një zhvillim i mirë. Asnjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi”- tha Trump.
Agjenda e sotme në Helsinki përfshinte një takim kokë më kokë për 30 minuta deri në një orë, vetëm në praninë e përkthyesve.
Takimi vjen tri ditë pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Presidenti kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Disa senatorë demokratë i kërkuan Presidentit ta anulonte takimin me zotin Putin, nëse nuk e bën sulmin rus ndaj zgjedhjeve amerikane çështjen kryesore të diskutimeve. Këtë qëndrim të demokratëve e mbështeti edhe senatori republikan John McCain.
Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, duke folur për shërbimin rus të Zërit të Amerikës në Helsinki, tha se brenga e tij më e madhe është se presidenti Trump “do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues për Vladimir Putinin dhe mendoj se kjo i shërben interesit të tij. Nuk besoj që kjo u shërben interesave amerikane”.
Fraksion.com