AktualitetTë fundit

Vrasje e dyfishtë në Shkodër: Ekzekutohen ish-polici e bashkëjetuesja e tij, fëmija shpëton

Në orë 6 të mëngjesit të së dielës në Policinë e Shkodrës u raportua një krim i rëndë në lagjen Naim Gjylbegu të qytetit. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes uniformat blu gjetën të ekzekutuar këtë makinë një çift të rinjsh. Viktimat janë 30-vjeçari Boran Bërçama dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci, 27 vjeç, që shihni në këtë foto.

Mbi ta ishte derdhur një breshëri plumbash pasi në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 20 gëzhoja. Për fat të mirë ka shpëtuar djali i çiftit vetëm 1 vjeç i gjetur i ulur në ndenjësen e pasme të makinës. Foshnja është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ku mësohet se nuk ka asnjë lëndim përveç traumës së pësuar.

Mësohet se 30-vjeçari kishte punuar si efektiv policie në Komisariatin e Pukës deri në fund të vitit 2016 kur kishte dhënë dorëheqjen pas një mungese të pajustifikuar. Ekzekutimi mafioz ka ndodhur në hyrjen e pallatit ku jetonin. Bëhet fjalë për një atentat të mirëmenduar pasi autorët e kanë pritur çiftin të kthehet në banesë. Ata janë qëlluar pa dalë ende nga makina në një vend i cili nuk mbulohet nga ndonjë kamër sigurie.

Pak orë më pas uniformat blu gjetën një automjet duke u djegur në dalje të qytetit që dyshohet se është përdorur nga autorët. Brenda saj u gjet një armë tip ‘Skorpion’ e cila mendohet të jetë ajo e përdorura në krim. Burimet thonë se Bërçama sapo ishte kthyer nga Franca ku kishte kërkuar azil, por që i ishte refuzuar. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por grupi hetimor po punon në disa pista. E para lidhet me ndonjë konflikt për shkak të detyrës që Bërçama ka mbajtur. Po verifikohen gjithashtu edhe lidhjet aktuale të 30-vjeçarit pasi dyshohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme megjithëse ai nuk regjistron i skeduar për lidhje kriminale. Një tjetër pistë që po verifikohet janë konfliktet familjare. Disa persona janë shoqëruar në komisariat për tu pyetur ndërsa janë marrë edhe dëshmi paraprake të të afërmve të viktimave.

 

Fraksion.com