AktualitetPolitikëTë fundit

Vendimi për Elvis Roshin, deputeti i PD: Nuk është vetting, por banditing

Përmes një statusi në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar vendimin e gjykatës ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, që sipas tij ka rrëzuar një prej mekanizmave kryesorë të ligjit për dekriminalizimit: falsifikimin e formularit, që duhej të dënohej me burg.

“Kjo është një ftesë për kriminelët, që ligji i dekriminalizimit të mos i penalizojë e të ndihen të paprekshëm dhe të mbrojtur nga Rama”, shkruan ndër të tjera Bylykbashi.

Deputeti demokrat është shprehur edhe më i ashpër në lidhje me vettingun, duke shkuar deri aty sa ta quajë “banditing”.

“Në këtë Drejtësinë e Reformuar me mbikëqyrje nga ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit‎), vettingu ka bërë që ikën gjyqtari që ka dhënë dënime me burg për kriminelë, por ai që ka ‘përdhunuar në komunitet’ dënohet me ‘punë në komunitet’, pra lihet i lirë. Fati i banditit dhe gjyqtarit bashkohen, ndahen dhe përcaktohen në psiqikën që nuk fal të Edi Ramës‎. Une nuk e kam lexuar, por nuk është çudi, që gjyqtarin ta ketë përmendur me emër te ‘Kurbani’. Një pyetje kam: nëse gjyqtari do të ishte parë në shoqërinë e Elvis Rroshit, siç qëndron Rama, a do të përbënte kusht skualifikimi në sytë e këtyre nëpunësve të vettingut?‎ Po çfarë vetting thoni, ky është banditing!”.

 

Fraksion.com