Uashington: Beteja për Gjykatën e Lartë
Menjëherë pasi Presidenti Trump bëri të njohur të emëruarin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, në Uashington ka filluar beteja politike në prag të seancës së konfirmimit të tij në Senat. Republikanët e përqafuan menjëherë të zgjedhurin e Presidentit, i cili mund t’i japë një drejtim konservator Gjykatës së Lartë për një gjeneratë të tërë. Demokratët në opozitë janë zotuar ta luftojnë kandidaturën e re, të shqetësuar se ardhja e zotit Kavanaugh në gjykatë mund t’i zhbëjë fitoret e arritura me vështirësi për çështje si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve.
I emëruari i Presidentit për në Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, shkoi në Kongres i shoqëruar nga Nënpresidenti Mike Pence, për t’u takuar me kryetarin e shumicës në Senat Mitch McConnell.
“Unë mendoj se presidenti ka bërë një emërim të shkëlqyer dhe presim me padurim procesin e konfirmimit javët e ardhshme,”- tha zoti McConnell.
Presidenti Trump e bëri njoftimin për zotin Kavanaugh të hënën, në Shtëpinë e Bardhë.
“Të rëndësishme nuk janë pikëpamjet politike të një gjykatësi, por në se ai i le ato mëngjanë, për të marrë vendime bazuar tek ligji dhe Kushtetuta,”- tha ai.
Kavanaugh është gjykatës federal dhe më parë ka punuar në Shtëpinë e Bardhë për Presidentin George W. Bush.
“Gjykatësi duhet t’i interpretojë ligjet dhe Kushtetutën siç janë shkruar, të jetë i informuar për historinë, traditën dhe precedentët e mëparshëm,”- tha ai.
Demokratët menjëherë sinjalizuan se kanë për ta luftuar emërimin e zotit Kavanaugh për në Gjykatën e Lartë, që ata e shohin si një kthim prapa.
Qëndrimin e tyre kundër, e ka udhëhequr Kryetari demokrat i Senatit, Chuck Schumer:
“Për çdo amerikan që shqetësohet për shëndetin e grave, për mbrojtjen e pacientëve me kushte ekzsituese të sëmundjes, për të drejtat civile, të drejtat e punës, të LGBTQ-ve, të mjedisit … tani është koha për të luftuar.”
Nëse konfirmohet, zoti Kavanaugh do t’i zerë vendin gjykatësit Anthony Kennedy që kërkoi të dalë në pension.
Kennedy ishte një konservator, i cili në raste të rëndësishme ka votuar pro pakicës liberale të gjykatës, për raste si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve.
“Të dyja palët i dinë rreziqet. Gjykata ka qenë e ndarë pak a shumë pesë me katër në favor të konservatorëve, por Anthony Kennedy ka qenë shpesh vota përcaktuese, gjykatësi që për një numër çështjesh të rëndësishme votonte si liberalët”, thotë analisti John Fortier.
Demokratët shqetësohen se një gjykatë më konservatore mund ta zhbënte vendimin e famshëm për të drejtën e abortit, të njohur si Roe kundër Wade-it, thotë eksperti ligjor Jonathan Turley:
“Ndoshta nuk do të kemi rastin të shohim një sulm frontal ndaj vendimit Roe kundër Wade-it. Më tepër ka mundësi të shohim që gjykata ta injorojë këtë vendim.”
Republikanët kanë një shumicë të vogël në Senat, por Demokratët kanë për ta patur të vështirë ta bllokojnë konfirmimin e zotit Kavanaugh, thotë studiuesja Stacy Hawkins:
“Më e mira për të cilën mund të shpresojmë, është se kjo ka për t’u bërënjë çështje e rëndësishme jo vetëm për zgjedhjet e mesit të mandatit, por edhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020; demokratët kanë për t’u përqëndruar më tepër tek Gjytata e Lartë, si çështje e rëndësishme politike në zgjedhje”.
Republikanët shpresojnë që zoti Kavanaugh do të konfirmohet në kohë, për të qenë i pranishëm në sesionin e ardhshëm të Gjykatës së Lartë në muajin tetor./VOA
Fraksion.com