AktualitetKosovaTë fundit

Deda: Thaçi po diskuton për ndarje të Kosovës

Deputeti i Alternativës Ilir Deda gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po diskuton me Serbinë për ndarjen e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Deputeti i Alternativës Ilir Deda ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke diskutuar për ndarjen e Kosovës me Serbinë. Në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri” Deda ka thënë se partia e tij (Alternativa) nuk e pranon kurrë kufirin te lumi Ibër.

Me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq Thaçi, sipas Dedës, po diskuton edhe për resurset natyrore të Kosovës dhe për amnisti të krimeve të luftës.

Madje deputeti i Alternativës nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe çështja e ushtrisë së Kosovës të bëhet temë e bisedimeve në Bruksel në kuadër të fazës finale.

Andaj, sipas tij, partitë opozitare duhen domosdo të dalin me një formulë sa i përket etapës përmbyllëse të negociatave të këtij procesi.

Gjatë bisedës për “Zërin” Deda, i cili është anëtar i Komisionit për Integrime, ka folur edhe për çështjen e liberalizimit, me ç’rast ka thënë se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim për vizat në fund të këtij muaj.

 

Fraksion.com