Akademia e Shkencave në reformin, qeveria projektligji të ri, shton funksionet por i vendos edhe kushte
Akademia e Shkencave do të rikthehet edhe një herë në vëmendje por këtë herë për shkak të një projektligji të ri të hartuar që synon të reformojë tërësisht institucionin. Ky institucion pati një përplasje vetëm pak muaj më parë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me mënyrën sesi organizohen zgjedhjet brenda tij ndërkohë që në atë kohë u lakua se Akademia mund të kishte kufizime në buxhet. Në fakt në buxhetin e vitit 2018 ky insitucion mori 110 milionë lekë.
Në projekligjin e ri, ndryshe nga ligji në fuqi, Akademisë së Shkencave i kërkohet që të paraqesë vetë projektbuxhetin dhe ta mbrojë atë pranë komisionit parlamentar përgjegjës, një praktikë që aktualisht nuk e përcakton ligji në fuqi, shkruan Monitor.
Duke ruajtur një pjesë të ligjit aktual, drafti i ri vjen edhe me një seri ndryshimesh që lidhen me funksionet. Nëse aktualisht sipas ligjit gjashtë janë funksionet kryesore që ka ky institucion, me draftligjin e ri këto funksione shkojnë në 11. Ndër të tjera të reja si funksione janë : Të bashkëpunojë me institucionet analoge jashtë vendit për promovimin e arritjeve e për tërheqjen e projekteve të përbashkëta, për diplomacinë shkencore dhe për të përfaqësuar në shkallë ndërkombëtare komunitetin shkencor shqiptar, të bashkëpunojë me institucionet e vendit me kapacitet kërkimi, si institucionet e arsimit të lartë, institutet dhe qendrat e kërkimit, me qëllim koordinimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e kërkuesve të rinj apo të ruajë, të dokumentojë dhe të përcjellë trashëgiminë akademike, përmes botimeve përmbledhëse të veprave të figurave më të spikatura, zhvillimit të aktiviteteve, ekspozitave dhe muzeve të ngritura në përputhje me legjislacionit përkatës.
Një tjetër ndryshim lidhet me mandatin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Me ligjin aktual ai mund të zgjidhet dy mandate por jo njëri pas tjetrit. Me propozimin e ri vendoset që Kryetari mund të zgjidhet për dy mandate duke nënkuptuar se ato mund të jenë në vazhdim pa shkëputje.
Në ndryshim nga ligji aktual qeveria ka vendosur edhe një nen “Ndalesat dhe papajtueshmëria” që a në bazë disa kushte.
“Nuk mund të zgjidhen anëtarë të Asamblesë personat mbi 65 vjeç (60 vjeç si akademikë të asociuar). Nuk mund të zgjidhen anëtarë personat që ushtrojnë funksionin e drejtuesit në institucionet kushtetuese a në partitë politike. Nuk mund të zgjidhen anëtarë Kryesie personat që kanë detyra të larta drejtuese, shtetërore ose në partitë politike, sipas përcaktimeve në Statut. Anëtarët e Kryesisë nuk mund të ushtrojnë funksion tjetër me kohë të plotë” thuhet në nenin 15 të projekligjit që është nxjerrë për konsultim.
Projekligji është nxjerrë për konsultim nga Ministia e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Fraksion.com