AktualitetNATO/BETë fundit

Solidarizim Francë-Gjermani kundër Trumpit

 Presidenti francez, Emmanuel Macron dha mesazhin se solidarizohen me Gjermaninë kundër kritikave të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ndaj Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Macron mbajti një konferencë shtypi në ditën e fundit të Samitit të NATO-s në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel.

Pyetjes në lidhje me kritikat që Trump ka drejtuar ndaj Gjermanisë, presidenti francez i është përgjigjur se “Me Gjermaninë kemi fatin e përbashkët. Jemi fqinjë. Jemi dy vende të rëndësishme të Evropës dhe Eurozonës. Një vendim jo për të mirën e Gjermanisë nuk mund të jetë në të mirën e Francës”.

Më tej Macron ka shtuar se ka lexuar disa komente në lidhje me Trump dhe Merkel, dhe se ai ka qenë dëshmitar se dialogu mes të dyve ka kaluar në respekt të ndërsjellë.

“Gjermania është një aleat strategjik dhe i patjetërsueshëm”, është shprehur Macron duke bërë të ditur se Gjermania ka vënë në veprim elementet e nevojshme sipas ritmit të saj dhe po ashtu ka përmbushur përgjegjësitë.

Në lidhje me çështjen e tregtisë, Macron theksoi se është i vetëdijshëm për vendimet që Trump ka marrë kundrejt Evropës, por se duhet të respektohen rregullat ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje në një deklaratë në Bruksel në Samitin e NATO-s kritikoi Gjermaninë për mos rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në NATO dhe ai tha se “Gjermania i bën pagesa në nivel të lartë Rusisë për energjinë. Për këtë arsye ajo është një rob i Rusisë”.

 

Fraksion.com