SportTë fundit

Manxhukiq shënoi golin vendimtar; Endrra kroate vazhdon

32-vjeçari Mario Manxhukiq shënoi golin vendimtar në ndeshjen Kroaci-Angli. Fitorja dhe kualifikimi në finalen e Kampionatit Botëror kanë shkaktuar një eufori të paparë në Kroaci, por edhe gjetiu.

    
Urimet e para për Mario Manxhukiqin mbase kanë ardhur nga vendi i vogël gjerman Ditzingen, ku ende jeton motra e tij Ivana me djalin e saj dhe bashkëshortin. Në shtëpinë e saj mbretëronte gjendje e jashtëzakonshme, sikur edhe në gjithë Kroacinë dhe gjithandej ku jetojnë kroatët. Mario Manxhukiq ka luajtur në klubin e vogël gjerman TSF, në Ditzingen, katër vite me radhë, sepse atje kishte ardhur për shkak të luftërave në ish-Jugosllavi. Me golin e shënuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror dhe fitoren ndaj Anglisë, Manxhukiq i ka siguruar vetes statusin e idolit tek simpatizantët kroatë. Është kjo hera e parë që ky vendi i vogël kualifikohet në finale.

 

Kroacia e vogël dhe suksesi i madh

Fitorja 2:1 ndaj Anglisë u arrit në minutën e 109 të ndeshjes, me golin e Manxhukiqit. Fitorja ishte e merituar. Kroacia e vogël me vetëm 4,1 milionë banorë, mundi disa kombëtare të mëdha në këtë Kampionat. Viktima e fundit ishte Anglia, por më parë kanë rënë edhe Rusia, Danimarka, Argjentina… Ndërsa Manxhukiq ishte një prej shtyllave të ekipit kroat. Ai shënoi golin vendimtar kundër Anglisë, në momentet kur fitohej përshtypja se nuk po rrinte dot në këmbë nga lodhja. Kjo me siguri që nuk ishte loja më e mirë e tij, por Manxhukiqi 32-vjeçar nuk i ikte asnjë dueli, nuk hezitonte të vraponte pandërprerë, futej në çdo duel me këmbë apo me kokë, vraponte sikur të bëhej fjalë për jetë apo vdekje.

Gjatë ndeshjes disa herë edhe grindej me bashkëlojtarët – me zë të ultë apo dhe të lartë. Momenti i tij erdhi në vazhdime, kur dukej se ishte në fund të fuqisë fizike, kur dukej se më nuk do të mund të ngrihej nga fusha e blertë. Pak para shënimit të golit vendimtar, ai kishte edhe një shans tjetër, por portieri i mrekullueshëm anglez Jordan Pickford ishte i pakalueshëm dhe e mbrojti goditjen e tij. Në minutën e 109 edhe Pickford ishte i pafuqishëm, Manxhukiq shënoi, Anglia humbi të gjitha shpresat për kualifikim në finale. Kjo dëshmon se lojtarët e këtillë, të gatshëm që të vrapojnë edhe kur mendon se nuk mund të qëndrojnë në këmbë, janë të gatshëm që me vullnetin e tyre të vendosin lojërat e mëdha. “Mua më pëlqejnë lojërat e mëdha”, tha Manxhukiq.

 

Finalja e madhe

Kroacia kështu u kualifikua për herë të parë në finalen e madhe të Kampionatit Botëror. Para plot 20 vitesh (me 1998) Kroacia ka humbur në gjysmëfinale nga Franca (e prirë nga trajneri i tanishëm Deschamps dhe Zinedine Zidane). Në fund Davor Shuker, Boban, Jarni, Prosineçki dhe të tjerët zunë vendin e tretë. Ndërsa gjenerata e tanishme e drejtuar nga Luka Modriq, Rakitiq, Manxhukiq, Perishiq, Subashiq… do të ketë mundësinë të dielën të “hakmerret” ndaj Francës dhe të fitojë titullin e më të mirit në botë. Ndërsa Anglia të shtunën do të garojë për vendin e tretë në ndeshjen me Belgjikën./DW

 

Fraksion.com