AktualitetTë fundit

Fillon eksodi i kompanive Forex, 4 prej tyre ikin në Kosovë

Kompanitë e palicencuara që kryejnë veprimtari në Forex në Shqipëri, së fundmi janë kthyer në problem për sa i përket aktivitetit të tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Institucionet rregullatore dhe mbikëqyrëse kanë marrë sinjalizime dhe denoncime nga autoritetet ligjzbatuese fqinje, pasi dyshohet që ato mund të mund të funksionojnë si instrument për pastrimin e parave ose si skema mashtrimi.

Si rrjedhojë, një grup institucionesh, duke përfshirë AMF-në, Krimin Ekonomik, Pastrimin e Parasë dhe Tatimet, kanë nisur hetimet, kontrollet dhe verifikimet në terren.

Duket se kontrollet kanë bërë presion që kompanitë të fillojnë të shpërngulen jashtë territorit të Shqipërisë.

Burime nga tregu konfirmojnë për Monitor se kompanitë Forex që operojnë në Shqipëri kanë filluar që të transferohen drejt vendeve të tjera të rajonit, apo dhe në Qipro. Katër prej tyre, që operonin në Shqipëri, mësohet se janë zhvendosur në Kosovë.

 

Me qindra të rinj rrezikojnë të mbeten pa punë

Për shkak të forcimit edhe të hetimeve dhe kontrolleve në terren ndaj kompanive që kryejnë aktivitet forex, këto kompani kanë reduktuar në mënyrë drastike njoftimet për punë në disa prej portaleve kryesore të punësimit në Shqipëri. Javë më parë ishte e zakonshme që web-i të bombardohej nga njoftimet për agjentë FTD (First Time Deposite), të cilat shpeshherë ishin edhe të sponsorizuara. Pagat për pozicionet e punës në këtë fushë veprimtarie janë të kënaqshme dhe qindra të rinj janë të punësuar në këto kompani që operojnë se qendra telefonike.

Me zhvendosjen drejt rajonit apo me mbylljen prej autoriteteve rregullatorë dhe mbikëqyrëse rrezikojnë që qindra të rinj të mbesin pa punë. Mbyllja e menjëhershme apo zhvendosja e tyre në rajon do të kthehej edhe në një problem social.

Pas presionit të qeverisë italiane që forcoi rregullat për kompanitë që ofronin shërbime call center për Italinë, shumë prej tyre për të mbijetuar filluan të diversifikoheshin në shërbimet e marketingut për aktivitetet financiare.

Këto kompani gjetën një strukturë gati, për shkak se aktiviteti call center kishte filluar të tkurrej, duke qenë se kompanitë nuk po siguronin më kontrata me jashtë. Ishte shumë e lehtë që ato të fillonin që të operonin në këtë fushë, teksa infrastruktura ishte thuajse gati. Një tjetër avantazh ishte kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe njohja e gjuhëve të huaja.

 

Kompanitë nuk kërkojnë të licencohen nën argumentin se janë “ndërmjetësues”

Pjesa më e madhe e kompanive që kryejnë aktivitet forex në Shqipëri nuk licencohen me argumentin se shërbejnë si ndërmjetësues, pra që lidhin një kompani mëmë, e cila mund të ketë seli qendrore në Qipro, Maltë, ose në një nga shtetet e Europës lindore, me klientë, kryesisht të Europës Perëndimore dhe se në bazë të tyre janë shërbimet marketing. Për çdo kontratë që ata lidhin, ose për çdo klient që ata bind për t’u bërë pjesë e platformave që marketojnë marrin komisione.

Rreziku dhe shqetësimi që kanë ngritur institucionet me këto kompani është se mund të shërbejnë për pastrim parash ose mund të jenë skema ponzi, ku nëpërmjet platformave fantazmë tërheqin fondet e klientëve.

Në rast se këto kompani iu shërbejnë skemave të tilla të mashtrimit, Shqipëria mund të kthehet në njollë të zezë në Europë për sa i përket ofrimit të shërbimeve financiare.

Në vetvete, tregtimi i titujve në tregjet financiare nuk është një aktivitet i jashtëligjshëm. Duke qenë se është i një natyre pak më të veçantë dhe të ndjeshme është e nevojshme mbikëqyrja e tyre. Situata bëhet më e rrezikshme kur edhe kompania jashtë është e palicencuar.

Sipas një prononcimit zyrtar të AMF për Monitor, këto kompani apo të tjera të palicencuara mund të lidhen me kompani që krijohen në territorin e R.SH. me aktivitet “call center” duke marketuar produkte dhe shërbime financiare për klientë jashtë ose brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të rezultojnë në Skema “Ponzi” ose “brokera fantazmë”, ku pasi marrin fondet e investitorëve, zhduken.

Një tjetër shqetësim është rreziku i pastrimit të parave. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, janë marrë sinjale që këto shoqëri mund të funksionojnë si instrument për pastrimin e parave ose si skema mashtrimi. Rastet kanë qenë në rritje sipas burimeve të “Monitor” në DPPPP. Sipas burimeve nga DPPPP, rreziku qëndron në faktin se në rast se një nga kompanitë e huaja të brokerimit është një skemë Ponzi (piramidë) dhe në një moment qytetarët e BE-së përballen me humbjen e kursimeve të tyre, Shqipëria do të shënohej si njollë e zezë dhe pasojat do të ishin të rënda.

Rasti më i rrezikshëm është dhe ai i ngritjes së firmave fantazmë pa partneritetin e platformave ndërkombëtare të licencuar në BE, që po ndodh në Shqipëri.

Foreign Exchange: Këmbimi valutor: Ky term i referohet  aktivitetit dhe tregut të transaksioneve financiare nëpërmjet platformave elektronike online./Monitor

 

Fraksion.com