Britania gjobit firmën Facebook
Facebook-u do të përballet me gjobën e tij të parë pas skandalit me “Cambridge Analytica”, për shkak se platforma e mediave sociale e lejoi firmën britanike të kishte qasje tek informacionet private të miliona përdoruesve, pa pëlqimin apo dijeninë e tyre.
Një zyrë hetimore e qeverisë britanike, ajo e Komisionerit të Informacionit (ICO), e gjobiti Facebook-un me 500 mijë paund ose 663 mijë dollarë, shuma maksimale që mund të vendoset për shkelje të ligjeve britanike të privatësisë mbi të dhënat. Në një raport, ICO zbulonte se Facebook kishte thyer ligjin duke mos mbrojtur të dhënat e rreth 87 milionë përdoruesve të prekur nga shkelja e sigurisë.
Hetimi i ICO-s arriti në përfundimin se Facebook-u “e shkeli ligjin duke dështuar në mbrojtjen e informacionin të përdoruesve”. Sipas gjetjeve të raportit kompania dështoi të ishte transparente rreth asaj se si u “volën” të dhënat e përdoruesve në platformën e saj, nga të tjerë.
“Cambridge Analytica”, një firmë në Londër, u mbyll në muajin maj, pas njoftimeve në shtyp për krijimin e “mjeteve që mund të identifikojnë personalitetet e votuesve amerikanë dhe të ndikojnë në sjelljen e tyre”.
Ndërkohë ndaj Facebook-ut po kryhen hetime të mëtejshme nga agjenci të tilla si Byroja Federale amerikane e Hetimeve si dhe Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve. Në muajin prill, themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg doli përpara një komisioni të Senatit amerikan për të dëshmuar mbi veprimet e kompanisë lidhur me skandalin.
Fraksion.com