Bebja Trump, gati të hedhë “hapat e parë”
Bebja Donald Trump është e gatshme të hedhë hapat e parë. Tullumbacja e bërë tashmë e famshme, do të fluturojë në shenjë proteste gjatë vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Londër dhe është tani krejtësisht gati – thonë organizatorët.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, ka dhënë leje që tullumbacja e mbushur me helium, gjashtë metra e gjatë, të fluturojë. Organizatorët mblodhën rreth 18 mijë paund për të mbuluar koston e tullumbaces dhe më shumë se 10 mijë persona nënshkruan një peticion që kërkonte që asaj t’i jepej leja për fluturim, por, në anën tjetër, ka edhe nga ata që e cilësojnë atë mungesë respekti dhe fyese.
Trump do të mbërrijë në Britaninë e Madhe të enjten, për një vizitë pune dy ditore. Ai është presidenti i 12 amerikan në detyrë që e bën një udhëtim të tillë dhe do të takohet me mbretëreshën dhe kryeministren para se të fluturojë drejt Skocisë për të kaluar fundjavën në resortin e tij të golfit.
Mijëra persona pritet të protestojnë kundër vizitës së tij në Britani, pas të cilës, ai do ti drejtohet Helsinkit, kryeqytetit finlandez, për takimin e parë zyrtar me Vladimir Putin, më 16 korrik.
Fraksion.com