AktualitetNATO/BETë fundit

Presidenti Trump e cilëson Gjermaninë “peng” të Rusisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi publikisht dhe me forcë Gjermaninë në fillim të takimit vjetor të NATO-s në Bruksel, për shkak të mbështetjes së saj ndaj marrëveshjes me Rusinë për gazsjellësin e Detit Baltik, duke e akuzuar Gjermaninë se është “peng” i Rusisë.

Gjatë një takimi të “nxehtë” në mëngjesin e së mërkurës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti Trump tha se Gjermania i paguan miliarda dollarë Rusisë dhe “ne duhet ta mbrojmë nga Rusia”.

Presidenti Trump tha gjithashtu se është “shumë e pavend” që Shtetet e Bashkuara po paguajnë shumë më tepër për të mbrojtur Evropën sesa anëtarët e tjerë të NATO-s, duke përsëritur ankesën e vazhdueshme të ngritur gjatë ditëve të fundit qoftë në fjalime apo në rrjetin social twitter.

Ai kërkoi që vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë para për aleancën mbrojtëse që ishte shtylla e bashkëpunimit ushtarak perëndimor pas Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Stoltenberg nënvizoi ndërkaq se vendet anëtare ishin në gjendje të punojnë së bashku me gjithë dallimet.

Shkëmbimi dramatik sikur përcaktoi tonin e asaj që pritej të ishte një ditë e tensionuar e takimeve me udhëheqësit e aleancës ushtarake.

Presidenti Trump pritet të vazhdojë të përplaset me aleatët e NATO-s lidhur me shpenzimet e tyre gjatë takimit të lartë që po mbahet në një periudhë të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet presidentit amerikan dhe aleatëve më të ngushtë tradicional të Shteteve të Bashkuara.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com