Maqedonia ftohet zyrtarisht për bisedime nga NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën për shtyp në fund të ditës së parë të bisedimeve në Samitin e vendeve të aleancës së Atlantikut të Veriut, zyrtarizoi ftesën në drejtim të Maqedonisë për nisjen e bisedimeve për negociatat e anëtarësimit të vendit ballkanik.
“Në vitin 2008 kemi vendosur që NATO t’i japë ftesë Maqedonisë për hyrjen në NATO, pasi të gjendej një zgjidhje e përbashkët për emrin, pas ngërçit me Greqinë, bazuar në kornizat e OKB-së. E përshëndesim marrëveshjen historike mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në pajtueshmëri me politikën tonë kemi vendosur që ta ftojmë qeverinë në Shkup të fillojë bisedimet me aleancën. Të bëhet implementimi i plotë i të gjitha procedurave në lidhje me marrëveshjen për çështjen e emrit, gjë që është edhe kusht për plotësimin e procesit hyrës”, thuhej në draft konkluzionet.
Konkluzionet përshëndesnin gjithashtu edhe marrëveshjen me Bullgarinë.
“I përshëndesim përpjekjet e qeverisë në vitin e fundit dhe progresin e rëndësishëm që kanë arritur për disa reforma të caktuara prioritare dhe inkurajojmë për reforma plotësuese që të përforcohet kontributi drejt aleancës”, thuhet në to.
NATO përshëndeti gjithashtu përpjekjet për ndërtimin e shoqërisë shumetnike dhe bëri thirrje që të vazhdohen përpjekjet plotësisht në këtë fushë. Stoltenberg përshëndeti në emër të aleancës edhe kontributin e Maqedonisë në misionet e saj dhe sigurinë ndërkombëtare.
Fraksion.com