AktualitetRajoniTë fundit

Greqia dëbon dy diplomatë rusë

Greqia ka dëbuar dy diplomatë rusë lidhur me akuzat se Moska ka ndërhyrë në negociatat e saj me Maqedoninë fqinjë.

Shtypi grek raportoi lidhur me dëbimet të mërkurën, duke shtuar se dy përfaqësues të tjerë rusë, ishin ndaluar të hynin në Greqi.

Gjatë një interviste televizive zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Tzanakopulos nuk komentoi rreth njoftimeve, por tha se Athina do të marrë masat e duhura kundër atyre që shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Autoritetet në Rusi njoftuan se do të dëbojnë dy diplomatë grekë nga Moska si përgjigje ndaj vendimit të autoriteteve greke.

Greqia dhe Maqedonia arritën një marrëveshje muajin e kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të vjetër lidhur me emrin e Maqedonisë, që është gjithashtu emri i krahinës veriore të Greqisë. Si pasojë e mosmarrëveshjes së fortë Athina ka bllokuar anëtarësimin në NATO të republikës ish-Jugosllave.

Bazuar në marrëveshjen e arritur kërkohet që Maqedonia të ndryshojë zyrtarisht emrin e saj në Republika e Maqedonisë Veriore, zyrtarimi i së cilës do të kërkojë miratimin me referendum.

 

Fraksion.com