Tusk, thirrje presidentit Trump të ndalë kritikat ndaj NATO-s
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk i kërkoi Presidentit amerikan Donald Trump të ndalë kritikat ndaj NATO-s në prag të samitit të aleancës që mbahet këtë javë në Bruksel.
Zoti Tusk bëri sot një paralajmërim të rreptë ndaj Presidentit Trump, ndërsa nënshkruante një deklaratë të përbashkët mbi bashkëpunimin midis Bashkimit Evropian dhe NATO-s, “E dashur Amerikë, vlerësoji aleatët e tu, në fund të fundit, nuk ke dhe aq shumë,” shkruante ai.
Zoti Trump i ka kritikuar vendet anëtare të NATO-s lidhur me shumat që shpenzojnë për investimet ushtarake. Të martën në Twitter, disa orë përpara se të largohej nga Uashingtoni për në Bruksel, Presidenti Trump shkruante: “SHBA shpenzojnë shumë herë më tepër se çdo vend tjetër për t’i mbrojtur ata. Kjo nuk është e drejtë për taksapaguesin amerikan. Veç kësaj, ne humbasim 151 miliard dollarë në tregtinë me Bashkimin Evropian. Na ngarkoni me tarifa dhe barriera të mëdha!”
Që nga marrja e detyrës në vitin 2017, zoti Trump ka ripohuar angazhimin e SHBA për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s, por ka vazhduar të kritikojë shpenzimet e NATO-s, duke argumentuar se Uashingtoni është duke mbajtur një barrë të tepërt financiare.
Gjatë një tubimi javën e kaluar në Montana, Presidenti Trump u zotua se do t’i “thoshte NATO-s se duhet të fillojë të paguajë faturat.” “Presidenti tha gjithashtu se amerikanët janë “ata që paguajnë për çdo gjë.”
NATO-ja thotë se në vitin 2017Shtetet e Bashkuara financuan rreth 70 për qind të të gjitha shpenzimeve të saj.
Të 29 anëtarët e NATO-s kontribuojnë me fonde për organizatën sipas madhësisë së ekonomive të tyre. Vendet anëtare u zotuan në vitin 2006 që deri në vitin 2024 të arrinin të shpenzonin dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, por aleanca vlerëson se jo të gjithë anëtarët do ta përmbushin objektivin.
Samiti i ardhshëm i NATO-s të mërkurën dhe të enjten është takimi i parë i madh që nga ai i Grupit të Shtatëshes në Kanada muajin e kaluar. Në përfundim të atij takimi, zoti Trump nuk e mbështeti deklaratën përfundimtare të grupit dhe kritikoi kryeministrin kanadez Justin Trudeau si “shumë të pandershëm dhe të dobët”.
Pas takimit me krerët e NATO-s në Bruksel, Presidenti Trump shkon në Britani, ku do të takohet me Kryeministrin Theresa May dhe Mbretëreshën Elizabetë II. Zoti Trump takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki më 16 korrik, ndalesa përfundimtare e turneut të tij evropian.
Fraksion.com