Seanca te Krimet e Rënda, Basha nuk i shkon Ballës në ‘takim’
Numri dy i Partisë Socialiste ka folur nga ambientet e Krimeve të Rënda ku deklaroi se kreu i PD nuk është paraqitur për të dëshmuar. Taulant Balla tha sot se Lulzim Basha ka udhëtuar drejt SHBA-ve, duke iu shmangur kështu dëshmisë.
“Sot jemi në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku është faza e parë e apelimit gjyqësor nga ana ime kundrejt kësaj shpifje. Kam bërë edhe një kallëzim në prokurori.
Do depozitoj të tjera elemente shtesë që e implikojnë Bashën se kishte dijeni për sasinë e eurove dhe se kam dyshime se ai i njeh porositësit e shpallur në kërkim.
Sot Basha nuk u përball me shpifjen sot. Nëse do të kishte burrërinë do të kishte qenë i pari që do t’i drejtohej prokurorisë. Basha se bëri, sot nuk u paraqit. Thonë se ka ikur në SHBA.
Por i sugjero se nëse është e vërtet, se e ka zakon që t’i fshihet drejtësisë, si në rastin e hetimit për rrugën Durrës-Kukës. Nëse është në Amerikë, ka një detyrim ligjor që para organeve ligjzbatuese amerikan duhet të japë shpjegime për kontratën lobuese.
“Mezi pres të përballem me Luzlim Bashën dhe personi i parë që duhet të thirret për këtë çështje është se duhet të thirret Lulzim Basha.
Apeli im për prokurorinë e Krimeve të Rënda është që të thirret Basha që siç ka bërë akuza në Kuvend të vijë të flasë sepse ka njohje me ta. Ai i njeh personat e përfshirë në kapjen e eurove në ‘Toyota’.
Kam dyshime që ai i njeh dhe dy personat e tjerë të cilët kanë qenë prezentë në çadrën e Lulzimit. Kjo është një instancë e parë ku për shkak të mos ngritjes së institucioneve të reja dosja edhe mund të transferohet.
Pas kësaj akuze të turpshme se në fund të këtij procesi që mund të jetë edhe i gjatë, me vendim gjykate Lulzim Basha do më kërkojë ndjesë për shpifjet mua. Unë jam gati të përballem me Lulzim Bashën dhe Lulzimi duhet të vijë me doemos” – tha sot Balla.
Taulant Balla kallëzoi penalisht kryetarin e PD, Lulzim Basha për nxjerrje të sekretit hetimor si dhe për shpifje, lidhur operacionin e policisë ku u sekuestruan 3.4 mln euro në dy automjete “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit.
Nga foltorja e Kuvendit disa dite me pare , Basha akuzoi Ballën se ishte garant i dërgesës së parave të siguruara nga veprimtari të paligjshme në vendet e Europës, të cilat po tentoheshin të futeshin në vendin tonë të fshehura në dy automjete.