AktualitetBota+Të fundit

Qasje partiake ndaj kandidaturës së presidentit për Gjykatën e Lartë

Emërimi nga Presidenti Donald Trump i gjyqtarit federal Brett Kavanaugh si kandidat për në Gjykatën e Lartë po përballet me reagime të parashikueshme nga të dyja krahët, republikanëve e demokratëve. Në një deklaratë menjëherë pas njoftimit të emrit të tij nga zoti Trump, udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell e vlerësoi zotin Kavanaugh si kandidat “jashtëzakonisht të kualifikuar” për t’u ulur në gjykatën më të lartë të vendit.

Shqetësimet se zoti Kavanaugh do t’i bashkohet katër anëtarëve të tjerë konservatorë të gjykatës për të përmbysur një vendim që lidhet me të drejtën për abort të njohur si çështja Rove kundër Wade, bëri që udhëheqësi i demokratëve në Senat Chuck Schumer, të njoftojë se do të përpiqet ta pengojë me çdo mjet kandidaturën e tij.

Jashtë Gjykatës së Lartë u zhvillua një protestë kundër kandidaturës së zotit Kavanaugh, pak pas njoftimit zyrtarisht të kandidaturës së tij.

Presidenti Trump na ka thënë se çfarë dëshiron të bëjë. Ai dëshiron të reduktojë të drejtat e çdo individi, të drejtat e grave, ato të punëtorëve, dëshiron të reduktojë të drejtat civile. Por dua t’ju them, ne nuk do të kthehemi pas”, tha senatori nga Nju Xhersi Cory Booker.

Të martën Brett Kavanaugh ndërmori hapin e parë për të siguruar një vend në Gjykatën e Lartë, me takimet me senatorët, për të garantuar mbështetje, përpara nisjes se seancave dëgjimore.

Nëse konfirmohem prej Senatit çdo rast do ta trajtoj me mendje të hapur. Do të përpiqem gjithmonë të mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe të garantoj sundimin e ligjit“, tha Brett Kavanaugh, kandidat për Gjykatën e Lartë.

Përzgjedhja e Brett Kavanaugh ka gjasa të shkaktojë një betejë të madhe për konfirmimin e tij në Senat, ku republikanët gëzojnë një shumicë të ngushtë prej 51 vendesh krahasuar me 49 që i takojnë opozitës demokrate. Këta të fundit thonë se do të luftojnë për të penguar që Gjykata e Lartë të pozicionohet më tej në të djathtë.

Vëzhguesit besojnë se nëse Prokurori i Posaçëm Robert Mueller do të përpiqet të detyrojë presidentin të dëshmojë në hetimin mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë apo edhe të ngrejë akuza kundër tij, çështja do të shkojë deri në Gjykatën e Lartë dhe mund të kthehet mbrapsht nga shumica konservatore e saj, nëse miratohet kandidatura e zotit Kavanaugh./VOA

 

Fraksion.com