Procesi i Berlinit: Ndihmë Ballkanit që rinia të mos emigrojë
Në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Londër i kushtohet vëmendje motivimit të rinisë për shmangien e brain drain.
Samiti që po zhvillohet në Londër është i pesti në serinë e samiteve në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në vitin 2014 për t’i dhënë impulse dhe dinamikë të re afrimit të BP me BE-në.
Pse emigron rinia e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë masive?
Arësyet nuk janë as të reja, as të panjohura: papunësia, humbja e shpresës për të ndërtuar jetën në vend. Ministri i Jashtëm i Bosnjë- Hercegovinës, Igor Crnadak, tha se ” Largimi në rritje i rinisë nga rajoni vjen nga mosbesimi në sistemin ekonomik dhe social që kemi në vendet tona, mosbesimi në zbatimin e ligjit, drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Investitorët e huaj ikin nga vendet e BP për shkak të korrupsionit të lartë. Niveli i papunësisë në Bosnjë-Hercegovinë ka arritur në 62,6%” , theksoi Crnadak.
Ndryshimet që kanë ndodhur në rajon dhe ritmet e tyre nuk i përgjigjen aspiratave të rinisë. Ҫfarë duhet bërë? Kthimi i shpresës tek rinia, transformimi me ritme më të shpejta i rajonit, një proces më dinamik i afrimit me BE, që mund të konkretizohet me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe këtu hyn në lojë Procesi i Berlinit dhe BE.
“Këtë nuk mund ta bëjme vetëm. Na duhet mbështetje nga Procesi i Berlinit dhe BE”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës”, Bexhet Pacolli.
Për Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë , Ditmir Bushati, rajoni ka nevojë për transformim të shpejtë, për ritme më dinamike drejt konvergimit me standartet europiane të jetesës. ” Qeveritë e vendeve të BP kanwë burime të kufizuara për ta bërë atë lloj transformimi që të mbajë rininë në rajon”, tha Bushati.
Reformimi i sistemeve të arsimit në BP, që rinia të motivohet për të studiuar në rajon dhe të mos largohet. Njohja reciproke e diplomave mes vendeve të BP, që ende ka mbetur si ide në letër pa arritur marrëveshjet përkatëse, ndryshimi i kurrikulave mësimore dhe krijimi i platformave gjithëpërfshirëse të arsimit në rajon. Komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, i pranishëm në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Rinisë, tha se “në rajon mund të ngrihen universite, qendra të ekselencës, ku rinia e talentuar e BP të studiojë, si një mundësi për të shmangur largimin nga rajoni”.
Agjenda digjitale dhe rinia
Investimi në njohuritë digjitale të rinisë është një nismë tjetër për të hapur vende të reja pune dhe për ta mbajtur rininë në rajon. Britania e Madhe premton të dyfishojë fondet e saj për rajonin, ku pritet që 10 milionë Pound të përdoren për agjendën digjitale, punësimin e rinisë dhe për të kontribuar në stabilitetin ekonomik të rajonit. Edhe pse Britania e Madhe pritet të largohet nga BE-ja në mars 2019 kryeministrja Theresa May tha në prag të fillimit të Samitit të Londrës, se “historia ka treguar që një Ballkan Perëndimor i stabilizuar dhe i sigurtë do të thotë një Europë më e sigurtë dhe e qëndrueshme. Britania e Madhe do të vazhdojë të mbajë zotimet dhe angazhimin e saj ndaj BP”.
Në këtë kontekst Britania e Madhe premton të financojë me rreth 107 milionë dollarë rritjen e sigurisë në rajon për të luftuar krimin e organizuar në periudhën 2020-2021.
Vendet partnere të BP në Procesin e Berlinit janë Gjermania, Austria, Franca, Sllovenia, Kroacia dhe Italia./DW
Fraksion.com