Presidenti Trump emëron gjykatësin Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë
Presidenti Donald Trump emëroi gjykatësin Brett Kavanaugh si anëtar të Gjykatës së Lartë.
Brett Kavanaugh, me pikëpamje konservatore, është aktualisht gjykatës i apelit dhe në të kaluarën ka arritur t’i mbijetojë një beteje të fortë konfirmimi në Senat dhe ka shërbyer si pjesë e grupit që hetoi ish Presidentin Bill Klinton në vitet ’90.
Presidenti Trump, në 18 muajt e parë në detyrë, ka patur mundësinë e rallë për të bërë dy emërime në Gjykatën e Lartë, anëtarët e së cilës emërohen për jetë.
Kavanaugh, 53 vjeç, do të zëvendësojë anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy, 81 vjeç, i cili njoftoi se do të dilte në pension më 27 qershor.
Emërimi i një anëtari të Gjykatës së Lartë shihet si një ndër vendimet më të rëndësishme për një president, pasi pasojat shtrihen në vite.
“Nuk ka një të dytë në Amerikë më të kualifikuar për këtë post, ose që e meriton më shumë”, u shpreh presidenti gjatë shpalljes së emrit të hënën në mbrëmje. Ai e cilësoi gjykatësin Kavanaugh si një “jurist të shkëlqyer” që i “është përkushtuar shërbimit ndaj publikut”.
I njohur si besimtar i devotshëm katolik, qëndrimi i tij ndaj një prej çështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara – abortin – ka ngjallur shqetësime si mes demokratëve edhe republikanëve. Ata që mbështesin të drejtat e gruas për të vendosur vetë për abortin, mbetën të pakënaqur me një vendim të vitit të kaluar të gjykatësit Kavanaugh, që nuk i jepte të drejtë një imigranteje adoleshente, gjatë kohës që mbahej e arrestuar nga autoritetet federale, për të kryer abort. Edhe disa konservatorë shprehën zhgënjim që gjykatësi nuk shkoi më tej dhe të deklaronte se kushtetuta nuk i jep të drejtë imigrantes për të zgjedhur për abortin.
Republikanët synojnë ta miratojnë kandidaturën para sezonit të ri të Gjykatës Kushtetuese që çelet në tetor dhe para zgjedhjeve për në Kongres që zhvillohen në nëntor. Republikanët aktualisht gëzojnë një shumicë minimale në Senat, 51- 49 dhe nuk duan ta humbasin mundësinë që u është krijuar.
Anëtari i Gjykatës së Lartë duhet të konfirmohet nga Senati. Analistët janë të një mendimi se kandidatura e zgjedhur nga presidenti Trump do të shkaktojë një betejë të fortë në Senat.
Me largimin e gjykatësit Kennedy, Gjykatën më e lartë të vendit është e ndarë në dy kampe të pozicionuara qartësisht në kahe të kundërt, liberalë dhe konservatorë, pa asnjë të moderuar.
Gjykatësi Kennedy ishte shpesh vota përcaktuese. Ndonëse shpesh ai bashkohej me konservatorët, për çështje të tilla si kufijtë e pushtetit të organit ligjvenës, liria e të shprehurit, apo e drejta për mbajtjen e armëve, për çështje të tjera, si të drejtat e homoseksualëve, apo aborti, ai e bashkonte votën me liberalët.
Ndryshe nga presidentët apo ligjvenësit, anëtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë pa afat, derisa vendosin vetë të largohen, gjë që u jep mundësi presidentëve që bëjnë emërimet, të lënë një trashëgimi juridike që zgjat për dekada të tëra pasi të jenë larguar nga posti.
Gjykatësi Kennedy është emëruar nga ish presidenti Regan në vitin 1987.
Presidenti Trump, vetëm disa ditë pasi kishte filluar detyrën vitin e kaluar, bëri një emërim tjetër, duke zgjedhur një kandidaturë konservatore, Neil Gorsuch për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, që u nda nga jeta papritur, në moshën 79 vjeçare.
Emrat Kavanaugh and Gorsuch ishin në listën e kandidatëve të konsideruar si të përshtatshëm nga dy organizata konservatore, “Federalist Society” dhe “Heritage Foundation”.
Kritikët e akuzojnë presidentin se ia ka lënë në dorë grupeve konservatore zgjedhjen e kandidatëve.
Fraksion.com