Pesë serbë të arrestuar për veprimtari kundër sigurisë në Kosovë
Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë persona gjatë një operacioni në rajonin e Gjilanit, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Pesë të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit serb. Policia nuk dha më shumë hollësi rreth natyrës së veprimeve të tyre, por hodhi poshtë shkrimet e medieve serbe se operacioni është i drejtuar ndaj ish-pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që ditëve të fundit kanë dhënë dorëheqje.
“Sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë javës që po lëmë pas një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet trysnisë së Beogradit ndaj tyre. Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se dorëheqjet e pjesëtarëve të kësaj force nga radhët e komunitetit serb janë përpjekje për të dëmtuar imazhin e kësaj force.
Fraksion.com