PD shtyn zgjedhjet në parti: Do të mbyllen para vitit 2019
Që prej Kuvendit Kombëtar të 28 prillit, urdhrat e kryetarit të Partisë Demokratike u kthyen në normë statutore. I tillë është edhe ai i 11 majit, i cili detyronte mbylljen deri më 30 qershor të zgjedhjeve në grupseksionet dhe seksionet e partisë, sipas parimit “një anëtar, një votë”.
“Zgjedhjet janë shtyrë për në shtator”, deklaron nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.
Nënkryetari demokrat deklaron se aksionet në qendër, fillimisht për çështjen “Xhafaj” e më pas për atë të Teatrit Kombëtar, i kanë penguar zgjedhjet, të cilat do të mbyllen para fundit të vitit në të gjitha nivelet e partisë.
“Rëndësi ka që ne të kemi një procedurë zgjedhore dhe një proces zgjedhor brenda PD-së të mirëqenë, sepse në këtë periudhë duhet ta pranojmë që jo të gjithë janë të impenjuar”, deklaron më tej Paloka.
Por, deri në shtator, Paloka flet gjithashtu për intensifikim të aksionit opozitar.
“Deri në shtator ne do të marrim vendime që mendoj se do ta ndryshojnë realitetin politik në Shqipëri”, shprehet më tej Edi Paloka.
Precipitim të situatës, Partia Demokratike paralajmëroi edhe përmes kreut të Komisionit të Integrimit, Genc Pollo, i cili e quajti ligjin për Teatrin Kombëtar në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
“Në rast se dy lalët do të duan t’i shkojnë zullumit deri në fund, ky do të jetë një moment konfrontimi i shoqërisë shqiptare me të keqen”, ka deklaruar Pollo.
Fraksion.com