AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni: Rreth një miliard euro hyjnë në vit nga diaspora

Maqedonia si shtet ka traditë të gjatë të shpërnguljes së popullsisë në vendet e ndryshme të botës, ku njerëzit migrojnë për arsye të ndryshme, por më së shumti për shkaqe ekonomike.

Në shumë vende të botës jetojnë njerëz me origjinë nga Republika e Maqedonisë, të cilët lidhjet e tyre familjare, tradicionale dhe kulturore i mbajnë me vendin e tyre të origjinës.

Edmond Ademi është ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë përgjegjës për diasporën. Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), ai foli për rëndësinë e diasporës, nevojat dhe problemet e tyre, por edhe për aktivitetet që ai si ministër dhe qeveria i zbatojnë për lidhjen e diasporës me vendin, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë ekonomik.

Siç theksoi ministri Ademi, nuk ka të dhëna konkrete statistikore se sa të shpërngulur nga Maqedonia gjenden në vende të caktuara, ka informacione të ndryshme, por, siç thotë ai, diaspora e Maqedonisë kryesisht jeton në disa vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Austrinë dhe Suedinë, ndërsa në vendet e tjera evropiane gjendet në numër më të vogël, kurse në kontinente të tjera, në Kanada, SHBA dhe Australi gjithashtu jeton numër i madh i personave me origjinë nga Maqedonia.

Qasja institucionale për zgjidhjen e problemeve të diasporës

Ministri Ademi theksoi se për herë të parë një qeveri në Maqedoni emëroi ministër përgjegjës për diasporën prej kur u formua qeveria e re më shumë se një vit më parë, ndërsa në këtë mënyrë ka filluar bashkëpunimi me organizatat e diasporës, por edhe drejtpërdrejt me njerëzit.

Nga bisedimet me diasporën, Ademi thotë se nevojat më të zakonshme të diasporës janë të natyrës administrative.

“Nevojat më të shpeshta janë çështje administrative, qoftë nxjerrje dokumentesh, pasaportash dhe gjëra të tjera, por edhe mbështetje për aktivitetet në pjesën e aktiviteteve kulturore dhe arsimore, mësimi i gjuhës së tyre amtare… Sigurisht, këtu në konceptin ekonomik rreth investimeve, nevojat janë të ndryshme në varësi nga shteti në shtet, por në përgjithësi ajo që mund të konkludohet është se në 25 vitet e kaluara, por në radhë të parë brenda 11 viteve, një pjesë e diasporës ishte abuzuar për qëllime politike dhe partiake për zgjedhjet dhe nuk ka pasur qasje institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre”, thotë Ademi, duke shtuar se pas një viti të detyrës së tij si ministër janë duke e formësuar procesin e bashkëpunimit me diasporën, por shpjegon se duhet ende punë dhe përpjekje që kjo të jetë në nivelin e duhur.

Veprimet e përbashkëta të Diasporës

Ademi thotë se në Maqedoni dhe në diasporë, qytetarët me prejardhje nga ky vend janë të ndarë sipas përkatësisë etnike, por ai theksoi se do të donte të shihte një bashkëpunim më të madh ndërmjet diasporës, ndërmjet të gjithë qytetarëve me origjinë nga Maqedonia, pavarësisht nga përkatësia etnike.

Duke i treguar përvojat e tij, Ademi thotë se ka qytete dhe vende ku diaspora vepron bashkërisht dhe ka bashkëpunim, por thotë se këto janë vetëm disa raste.

“Ndarjet në Maqedoni në 27 vitet e fundit në baza etnike kanë reflektuar edhe jashtë, ndoshta më shumë se brenda, por ende në diasporë ka njerëz nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni dhe bashkësitë më të vogla me origjinë nga Maqedonia, të cilat bashkëpunojnë në projekte dhe aktivitete të ndryshme, kështu që edhe tani në diasporë kemi edhe organizatë që është multietnike, Forumi për Maqedoni Demokratike në të cilin ka anëtarë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë dhe romë, dhe unë besoj se dalëngadalë, koncepti që e kemi brenda si qeveri për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë, do të mund të reflektohet edhe në diasporë”, shprehet Ademi.

Zyra për bashkëpunim me diasporën në komunat e Maqedonisë

Nga takimet me diasporën, Ademi tregon se problemi i parë me të cilin ata përballen është se kur vijnë për të kryer ndonjë çështje administrative dhe burokratike, ata hasin në mungesë të informacionit se ku duhet të drejtohen për një çështje të caktuar. Prandaj, Ademi thekson nevojën për të hapur zyra për bashkëpunim me diasporën në komunat e Republikës së Maqedonisë.

Të udhëhequr nga përvoja e vendeve në të cilat ata jetojnë, njerëzit nga diaspora shpesh u drejtohen komunave në të cilat janë të vendosur, sepse komuna është si një qendër për të gjitha aktivitetet të cilat duhet t’i kryejnë, andaj, siç thotë Ademi, kanë konsideruar se do të ishte mirë të ketë zyra për diasporën, në kuadër të të cilave ata mund të marrin informacione të sakta, se cila çështje ose problem ekziston në institucionin e caktuar, në mënyrë që të mos të humbin kohë duke bredhur nëpër institucione dhe sportele, por t’u mundësohet që pjesën më të madhe të kohës ta kalojnë me të dashurit e tyre, në vend që kohën e qëndrimit ta kalojnë nëpër procedura burokratike në vend.

Në këtë kontekst, shpjegon ministri përgjegjës për diasporën, Manuali për të Shpërngulurit të cilin së fundmi e ka promovuar Agjencia e Emigrimit e Maqedonisë është me dobi të madhe për diasporën dhe përmban informata të dobishme për të cilat ata kanë nevojë.

“Një nga aktivitetet që kemi pasur është promovimi i Manualit. Ai është projekt i Agjencisë së Emigrimit, me pyetje dhe përgjigje specifike, rreth asaj se në cilin institucion mund të nxjerrin dokumente të caktuara, disa indormacione praktike se ku duhet paraqitur kur të vijnë në Maqedoni dhe informata praktike që do të jenë të dobishme për ta kur të mbërrijnë në vend”, shpjegoi Ademi.

Nga marrëveshja politike e partive varet se si do të jetë modeli i zgjedhjeve

Lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe rolin e diasporës në proceset politike në vend, ministri Ademi thotë:

“Ligji zgjedhor parashikon mundësinë që diaspora të votojë, kjo ndodhi për herë të parë në vitin 2011, në vitin 2014 dhe tani në vitin 2016, dhe mundësia ngelet e tillë, që diaspora të votojë, ndërsa para së gjithash bëhet fjalë për ata që kanë shtetësi të Republikës së Maqedonisë. Se a do të votojë në një zonë të veçantë jashtë, siç është tani 6+1, por votat do të rrjedhin në numrin e përgjithshëm të votave këtu në Maqedoni, kjo do të varet shumë nga marrëveshja politike mes partive politike për ndryshimet në sistemin zgjedhor, ndërsa ne si parti qeverisëse dhe si qeveri jemi të angazhuar për një zonë zgjedhore, në vend të gjashtë zonave, kështu që edhe nëse diaspora voton, ato vota do të rrjedhin në numrin total këtu në Maqedoni”.

Ai thekson se e drejta e votës për personat që jetojnë në diasporë dhe që kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë mbetet, por mbetet të shihet se si do të vendosin partitë politike, a do të mbetet si më parë me gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni dhe një jashtë vendit për diasporën, ose Maqedonia do të jetë një zonë zgjedhore.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe për partneritet strategjik shkaktoi reagime të ndryshme te qytetarët në Maqedoni, por edhe në diasporë. Ademi thekson se një pjesë e diasporës nuk e pranuan këtë marrëveshje dhe atë e shprehën publikisht, por ka një pjesë të diasporës të cilët marrëveshjen e shohin si hap pozitiv për Maqedoninë, sepse, siç thotë ai, ajo marrëveshje hap rrugën për në BE dhe NATO, që janë qëllime stretegjike për Maqedoninë.

“Në vet procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE, absolutisht diaspora në këtë proces mund të luajë një rol të rëndësishëm në lobimin dhe proceset e brendshme. Për mua do të ishte mjaft atipike, të jetoni në një vend anëtar në NATO dhe BE, ndërsa të jeni kundër që vendi juaj i origjinës të bëhet anëtare në këto organizata. Mendoj se marrëveshja me Greqinë është një hap i madh përpara, plotësisht është i mbrojtur identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase. Diaspora maksimalisht duhet ta përdorë këtë moment dhe në drejtim pozivtiv në mënyrë që Maqedonia të mund edhe më shpejtë të ecë përpara”, tha Ademi dhe shtoi se qytetarët në referendum do të kenë mundësinë që personalisht të shprehen për Marrëveshjen me Greqinë.

Ai shtoi se Ligji aktual për referendumin nuk parashikon që për diasporën të ketë vendvotime, përkatësisht ata që kanë shtetësi maqedonase kanë të drejtë të votojnë, por për të shfrytëzuar këtë të drejtë ata duhet të vijnë në Maqedoni.

Ligji aktual për referendumin, thotë Ademi, nuk parashikon hapjen e qendrave të votimit ashtu siç është rasti në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ai shpjegon se nëse ka ndryshime në këtë seksion, publiku do të informohet në kohën e duhur.

Rreth një miliard euro nga diaspora hyjnë në Maqedoni

Roli i diasporës në kushtet e ekonomisë në vend është me rëndësi të madhe, thotë ministri Ademi, duke shpjeguar se qeveria ka bërë përpjekje për të mbështetur investimet që vijnë nga diaspora.

“Segmenti ekonomik po ashtu është shumë i rëndësishëm dhe në atë pjesë nga ajo që zyrtarisht ekziston në Bankën Popullore, në baza vjetore rreth 460-500 milion euro hyjnë zyrtarisht, përmes atyre kanaleve bankare apo transferi i parave. Megjithatë, jozyrtarisht, numrat arrijnë edhe deri në një miliardë, që është një kapital mjaft i madh që hyn në Republikën e Maqedonisë”, thekson Ademi.

Ministri maqedonas i angazhuar për diasporën bën të ditur se që moti Qeveria e Maqedonisë si mbështetje të proceseve të investimeve ka sjellur edhe Ligjin për mbështetje të investimeve, të cilin Kuvendi e miratoi, dhe për herë të parë përveç investitorëve të huaj dhe vendas të cilët do të marrin mbështetje nga shteti në varësi të investimeve, edhe investitorët e diasporës janë vendosur veçmas.

Ademi shpjegon se ekziston edhe neni në Ligjn për mbështetje të investimeve (neni 33), ku investimet nga diaspora do të marrin një mbështetje shtesë prej dhjetë për qind nga shteti dhe kjo është një mbështetje specifike dhe e drejtëpërdrejtë e investitorëve nga diaspora drejt avancimit ekonomik të shtetit.

Bashkëpunimi me organizatat e diasporës

Lidhur me bashkëpunimin dhe kontaktet me organizatat e diasporës me origjinë nga Maqedonia në vendet e huaja, Ademi thotë se kudo që ai të shkojë gjatë vizitave, ka krijuar një sistem dhe ka takime me institucionet e shtetit në mënyrë që t’i sjellë nevojat dhe porositë e diasporës.

“Unë realizoj takime dhe me organizatat maqedonase edhe me ato shqiptare nga Maqedonia që jetojnë atje. Me Diasporën e Bashkuar të Maqedonisë (OMD) kam pasur mjaft takime dhe kontakte, komunikojmë. Megjithatë, pas Ligjit mbi gjuhët, OMD vendosi të ndërpresë komunikimin me qeverinë dhe që atëherë komunikim formal nuk kemi pasur”, tha Ademi.

I pyetur në lidhje me qendrat kulturore të Maqedonisë në vendet e huaja, ministri Ademi thekson se ka mungesë të qendrave kulturore dhe se parashikohet që në të ardhmen të ketë më shumë institucione të tilla.

“Absolutisht ka mungesë të qendrave kulturore. Tani për tani ka tre, në New York, në Sofje dhe në Stamboll. Në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Ministrisë së Kulturës, ndër të tjera parashikohet hapja e qendrave kulturore në qytete të tjera, të tillë si në Zagreb, Ljubljanë dhe ndoshta edhe në disa qytete tjera. Nevoja për hapjen e qendrave kulturore është e rëndësishme dhe kuptohet se si qeveri do të angazhohemi të hapim qendra të tilla në ato vende dhe në ato qytete ku koncentrimi i njerëzve tanë që jetojnë atje është më i madh”, thekson Ademi.

Regjistrimi duhet të shihet si një operacion statistikor, jo si një operacion politik

Lidhur me rëndësinë e kryerjes së regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, ministri Ademi thekson se regjistrimi është i rëndësishëm në shumë aspekte.

“Për fat të keq, regjistrimi në Maqedoni në përgjithësi është parë si një operacion politik, ndërsa duhet të shihet një një operacion statistikor. Në kuptim, është dokument i rëndësishëm jo vetëm sa popullsi kemi, por regjistrimi paraqet drejtimin e lëvizjes së vendit dhe zhvillimit të vendit në shumë fusha, por për shkak të llogaritjeve të tilla në vitin 2011 dështoi. Ajo që është me rëndësi për ne është të punojmë në këtë drejtim, me metodologjinë e EUROSTAT-it, që regjistrimi të jetë pa asnjë ndikim partiak dhe dëshirave të dikujt. Unë besoj se në atë pjesë, kur të krijohet metodologjia, do të dihet saktësisht se kush janë ato njësi statistikore që do të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë që do të mbahet në vitin 2020”, deklaron Ademi.

Ftesë nga Qeveria e Turqisë për të vizituar diasporën nga Maqedonia

Ai thekson se Maqedonia ka diasporën e saj edhe në Turqi dhe bën të ditur se nga qeveria turke është ftuar për të organizuar takime me diasporën nga Maqedonia që jeton në këtë vend.

“Maqedonia dhe Turqia janë dy vende miqësore për një kohë të gjatë. Turqia është një mbështetës i madh i Maqedonisë në të gjitha proceset dhe e dimë se ka një pjesë të madhe të brezave, qytetarëve të Maqedonisë, që jetojnë dhe punojnë në Turqi. Jo shumë më herët, dy ose tre javë më parë, kisha një ftesë nga qeveria turke për të vizituar Turqinë dhe për të organizuar takime me diasporën tonë”, thekson Ademi, duke shprehur shpresë se do të realizojë vizitën që të shihet edhe me njerëz zyrtar të Qeverisë së Turqisë dhe me organizatat e qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë atje.

 

Fraksion.com