Trump: Pheniani do të zbatojë marrëveshjen për çarmatim bërthamor
Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se ka besim se kreu i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të “zbatojë kontratën e nënshkruar” që parashikon çnuklearizimin nga ana e Penianit.
Ai tha gjithashtu se Pekini mund të ushtrojë presion negativ mbi marrëveshjen “për shkak të qëndrimit amerikan në tregtinë me Kinën”.
Komenti i bërë sot në Twitter vjen pas akuzave të bëra gjatë fundjavës nga Koreja e Veriut, sipas së cilës Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka paraqitur kërkesa “prej gangsterësh” që Pheniani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor gjatë vizitës së tij në Korenë e Veriut. Pheniani tha se bisedimet “ishin për të ardhur keq”.
Ndërkaq, kryediplomati amerikan vazhdon t’i përshkruajë bisedimet e tij me zyrtarët e lartë të Koresë së Veriut si “produktive”, edhe pse Koreja e Veriut kritikoi ashpër qëndrimin e SHBA ndaj negociatave.
Pompeo tha se diplomatët e Koresë së Veriut “nuk reaguan negativisht” gjatë diskutimeve me të në Phenian. Ai tha se “shpreson” se në negociatat me Korenë e Veriut do të ketë një “rrugë për të ecur përpara”.
Vizita e tretë e zotit Pompeo në Korenë e Veriut vjen ndërkohë që njoftohet se sipas vlerësimeve të zbulimit amerikan, Kim Jong Un vazhdon të zhvillojë infrastrukturën për programin e tij bërthamor.
Fraksion.com