Presidenti i Kosovës takon kryeministrin rus në Ankara
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën mbrëma se është takuar në Ankara me kryeministrin rus. Dimitry Medvedev.
Takimi i shkurtër është zhvilluar në kuadër të ceremonisë së përurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në postin në votimet e muajit të kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi shkruan se “kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjell paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.
Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën.
Ajo mbështetë qëndrimin serb ndaj çështjes së Kosovës dhe nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s.
Fraksion.com