AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita bojkoton seancën plenare: Të anulohet votimi për Teatrin

Opozita  bojkotoi seancën e sotme plenare në shenjë proteste kundër votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar të enjten që shkoi, me pretendimin se është manipuluar.

Në nisje të seancës ishin të pranishëm vetëm dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Gjatë qëndrimit të tyre pak minutësh në sallë, ata kërkuan përgjigje nga kreu i Kuvendit lidhur me kërkesën e tyre drejtuar më herët, ku i kanë kërkuar anulimin e votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar.

Ruçi tha se “Sot jam njohur me këtë kërkesë. Do të kem një qëndrim në fund të ivestigimit që do të bëjë komisioni përkatës”.

Kurse Vasili tha se ” Është kërkesë që qartëson se në sallën e Kuvendit çdo standart i funksionimit të Kuvendit ka rënë. Është në vijimësi të të njëjtit standart që i hoqi mundësinë opozitës dy javë më parë të vazhdonte të fliste. Në përputhje me rregulloren kërkesa jonë për shkak të kësaj séance që është kërkuar nga ju, është depozituar dy ditë përpara, sikurse rregullorja e kërkon.

Ka qenë koha e nevojshme për të bërë investigimin e duhur për këtë çështje. Është fare e qartë që nuk mundet që parlamenti të funksionojë si ditët e tjera, përderisa ka zgjedhur të funksionojë për ditën e hënë duhet ta bënte. Është standart shumë i ulët ku vota u tjetërsua në mënyrën më të turpshme dhe për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme që në këtë situatë të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të jemi këtu dhe të ligjërojmë këtë gjë që ishte emergjencë dhe duhet të verifikohej dhe nuk mund të hapej seanca”, tha ai

“Ditën e enjte është kryer votimi për Teatrin, por më shumë se kaq ishte vetë procesi i votimit, i cili ka pasur defekte. Një deputet i opozitës, pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro. Ne jemi privuar nga e drejta për të folur nëpërmjet vullnetit të shumicës. Kërkesa jonë është bërë para dy ditësh sepse kjo çështje është urgjente. Kuvendi duhet të bënte verifikimin e votimit. Ne nuk marrim pjesë për shkak se gjendje të tilla në Kuvend po bëhen të zakonshme”, u shpreh Spaho

Në seancën e sotme do të diskutohet projektligji për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjore për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ‘djegur’ nga Vetingu. Projektligji kërkon 84 vota.

 

Fraksion.com