AktualitetRajoniTë fundit

Axhenda Dixhitale e Ballkanit Perëndimor

Revolucioni i Katërt Industrial do të ndryshojë mënyrën tonë të jetesës, më shumë edhe se shpikja e energjisë elektrike. Bashkimi Europian, çdo vit po shpërndan për këtë fushë më shumë fonde, ku vetëm për programin e dixhitalizimit, fondi ishte 9.2 miliardë euro. Për të kapur ritmin e BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtojnë përpjekjet, për këtë në bashkëpunim me Komisionin Europian janë angazhuar për të përmbushur Axhendën Dixhitale. Sfidat janë të shumta. Vendet duhet të përmirësojnë infrastrukturën, arsimin dhe kapitalin human. A duhet të frikësohemi për vendet e punës?

 

Nga Ledina Loga

Teknologjia dhe dixhitalizimi sot kanë prekur çdo gjë që na rrethon dhe thuajse çdo gjë që bëjmë. Duke filluar që nga komunikimi, te marrja e informacionit nga mbarë globi, te blerjet online dhe tek inovacioni, dixhitalizimi ka përmirësuar jetën tonë. Vendet e Ballkanit Perëndimor qëndrojnë pas BE-së për sa i përket zhvillimit në Sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Ndërsa Shqipëria, edhe pse dixhitalizimi është një nga pesë prioritetet e qeverisë, renditet e fundit në Europën Juglindore.
Në mënyrë që rajoni të kapë ritmin e BE-së dhe të mos mbetet prapa, të gjashtë vendet dhe BE janë angazhuar që të përmbushin objektivat e Axhendës Dixhitale.

Fillimisht, ajo u prezantua më 6 shkurt 2018 si një nismë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me Bashkimin Europian. Një angazhim për nisjen e Axhendës Dixhitale në prill të këtij viti, i cili përfshinte një plan për uljen e tarifave të roamingut midis partnerëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Europian shpalosi objektivat e Axhendës Dixhitale për Ballkanin Perëndimor në Asamblenë e Përvitshme Dixhitale, e cila këtë herë u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

Axhenda ka për qëllim kryesor që të mbështesë tranzicionin e rajonit në një ekonomi dixhitale dhe të sjellë për qytetarët përfitimet e transformimit dixhital, siç është rritja më e shpejtë ekonomike, më shumë vende dhe shërbime më të mira.
Mariya Gabriel, komisionerja për Ekonominë Dixhitale dhe Sociale, tha në fjalën e saj se dixhitalizimi është pa kufij, kapërcen rajone dhe kontinente. Asambleja Dixhitale, ndër të tjera, prezantoi dhe Axhendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, e cila përfaqëson angazhimin e qartë të shprehur nga liderët e Bashkimit Europian në deklaratën e mbështetjes së firmosur në Sofje më 17 maj.

Qëllimi i këtij eventi, sipas komisioneres Gabriel, është që të sigurojë se qytetarët e Ballkanit Perëndimor të shikojnë përfitimet e transformimit me ritëm të shpejtë dhe të pashmangshëm dixhital. Angazhimi i Axhendës Dixhitale do të sigurojë që qytetarët të kenë aftësitë që u përshtaten kërkesave të ekonomisë së re dhe do të ndihmojë që të modernizojë administratën publike, të forcojë sigurinë kibernetike, të rrisë lidhshmërinë dhe të përmirësojë klimën e biznesit, shtoi komisionerja në fjalën e saj.

 

Axhenda Dixhitale për Ballkanin Perëndimor

Komisioni, së bashku me gjashtë ministrat e vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë janë angazhuar në:

Investimin në lidhjen broadband: Infrastruktura e mirë dixhitale është e rëndësishme për përmirësimin e broadband në Ballkanin Perëndimor. Nën Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF- Wstern Balkan Invesment Framework), 30 milionë euro grante nga Bashkimi Europian do të jenë në dispozicion të infrastrukturës broadband në rajon, në mënyrë që të mobilizojë investimet strategjike dhe të kujdeset për rritjen socio-ekonomike.

Rritjen e sigurisë kibernetike, besimin dhe dixhitalizimin e industrisë: Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor kanë objektiv të përbashkët që të përmirësojnë sigurinë online dhe besimin. Axhenda Dixhitale për Ballkanin Perëndimor do të mbështesë në ndërtimin e kapaciteteve në siguri dhe në dixhitalizimin e industrisë në Ballkanin Perëndimor për të siguruar që të gjithë sektorët do të përftojnë nga inovacionet dixhitale.

Forcimin e ekonomisë dixhitale dhe shoqërisë: Axhenda Dixhitale do të mbështesë shpërndarjen e e-qeverisjes, e-prokurimeve dhe e-shëndetësisë dhe do të ndihmojë që të përmirësohen aftësitë dixhitale tek qytetarët. Kjo do të bëhet duke mbështetur përfshirjen dhe angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismat dhe eventet e Bashkimit Europian. Këtu përfshihet Samiti i Startup Europe në Sofje në 2018-n, mundësimi i startup-eve rajonale që të lidhen dhe të bashkëpunojnë me inkubatorët më të mëdhenj të Europës; të prezantohen mundësi trajnimi në fushën e dixhitalizimit për studentët dhe të rinjtë nga Ballkani Perëndimor; të shpallet EuCode Week për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, që do të sjellë në rajon aftësi të reja në kodim dhe literaturë në fushën e dixhitalizimit.

Zhvillimin e kërkimit dhe inovacionit: Axhenda Dixhitale do të ndihmojë që të ketë lehtësi në rang kombëtar dhe të zhvillohet e-infrastruktura në BP dhe do të integrojë ato në një Zonë Kërkimi Europiane në Zhvillim.
Duke pasur parasysh shkallën e investimeve të kërkuara, Komisioni është fuqimisht i vendosur të bashkëpunojë me të gjithë partnerët dhe autoritetet e Ballkanit Perëndimor për të gjetur mënyrën se si axhenda dixhitale mund të zbatohet plotësisht.
Nisma e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Dialogun e TIK-ut e krijuar nga Komisioni në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor do të monitorojë zbatimin e Axhendës Dixhitale.

 

Dixhitalizimi në Shqipëri, një nga pesë prioritetet

Gjatë prezantimit të axhendës për Ballkanin Perëndimor, Dorina Cinari, zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi në fjalën e saj, se dixhitalizimi është një nga pesë prioritetet e qeverisë. Shqipëria është një nga vendet pioniere në rajon që ka zhvilluar e-shërbimet. Tashmë një pjesë e mirë e shërbimeve qeveritare mund të merren online, megjithatë, sipas ministres, duhet të punohet që të rritet përqindja e aksesit në internet. Ajo shtoi se qeveria është e angazhuar që të përmirësojë infrastrukturën e broadband dhe të arrijë një mbulim të gjerë të internetit në të gjithë rajonet e vendit.

Plani Kombëtar për Zhvillimin e Broadband-it përcakton si vizion zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve broadband në të gjithë vendin për të përfituar akses në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si shëndetësi (e-health), edukim (e-education), tregti (e-commerce), shërbimet qeveritare (e-government) duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Ndërkohë që presin që të arrihet marrëveshja e roaming me disa prej vendeve të rajonit. Sipas zv.ministres, tarifat e roaming-ut janë një pengesë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së bashkëpunimit midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Por, nuk duhet neglizhuar dhe duhet të jetë në fokus të të gjitha qeverive aftësitë në epokën dixhitale. Për Cinarin, duhet të zvogëlohet hendeku midis zhvillimeve reale në fushën aftësive dhe ritmit të zhvillimit që po njeh tregu.

Duke qenë se dixhitalizimi është një nga prioritetet e qeverisë, është hartuar edhe Axhenda Dixhitale e Shqipërisë për 2015-2020, ku si objektiva kryesore janë: zhvillimi i kuadrit ligjor dhe institucional; zhvillimi i infrastrukturës TIK dhe interneti; plani kombëtar për zhvillimin e Broadband; zhvillimi i e-qeverisjes dhe shoqërisë së informacionit.

Në programin e qeverisë është përcaktuar se qeveria do të punojë në 3 drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme:
– Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve elektronike për qytetarët, biznesin dhe administratën. Prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të nismës Open Government Partnership.
– Së dyti, për përdorimin e TIK, në edukim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore, në mënyrë që të rritet numri i përdoruesve dhe të nxitet zhvillimi i ofruesve të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, të cilët mund të punësohen në tregun shqiptar, rajonal e më gjerë.
– Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet europiane të konkurrencës së lirë e të ndershme.

 

Vështirësitë në arsimim dhe edukim

Një nga shtyllat e zhvillimit të teknologjisë dhe dixhitalizimit në të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor është arsimimi. Të gjithë vendet e rajonit, gjatë asamblesë dixhital, theksuan se do të shtojnë përpjekjet për të përmirësuar sistemin arsimor, si dhe për të ndihmuar të rinjtë, duke iu krijuar kushte më të favorshme për të mos u larguar nga vendit. Megjithatë, edhe në këtë shtyllë, problemet nuk janë të pakta.

Në Strategjinë Kombëtare për Dixhitalizimin janë reflektuar edhe problemet e TIK në arsim:

– raporti numër kompjuterësh në përdorim për nxënës, ndryshon nga shkolla në shkollë. Afërsisht, ky raport është 1:27 në disa raste edhe më i ulët;
– nxënësit mund të marrin informacion vetëm në laboratorët kompjuterikë, por jo në mjedise të tjera të shkollave si, p.sh., biblioteka;
– në më shumë se 1/3 e shkollave, nxënësit kanë mundësi të kufizuara për marrjen e informacionit online;
– mungojnë plotësisht përmbajtjet dixhitale në gjuhën amtare; shfrytëzohen vetëm përmbajtje nga interneti, që dallojnë nga burimi i shfrytëzuar;
– është shfaqur rreziku i ekspozimit përballë përmbajtjeve të papërshtatshme;
– nuk ka ndërgjegjësim të fëmijëve në përdorimin e internetit për dukuri si tallja, fyerja në Internet (Cyberbulling) ose abuzimi online me fëmijët në Internet (Grooming).

 

Aftësitë në dixhitalizim, faktor kyç për një ekonomi konkurruese

Vendet anëtare duhet të jenë të pajisura me aftësitë e duhura që kërkojnë këto teknologji të reja. Aftësitë janë baza e zhvillimit teknologjik, duke qenë se pa profesionistë të aftë, vendet nuk mund të konkurrojnë në tregun dixhital të përbashkët. Këto ishin vetëm disa nga problemet e evidentuara gjatë diskutimit në panelin për Aftësitë Dixhitale për një Ekonomi Konkurruese. Hendeku i njohurive dhe aftësive, është një ndër hendeqet që kërkon kohë për t’u zgjidhur.

Vetë Bashkimi Europian ka nevojë për institucione, si dhe për një bashkëpunim më të zgjeruar midis shteteve anëtare. Ngushtimi i këtij hendeku po mbështetet me nisma ligjore, në mënyrë që e gjithë Europa të ecë me të njëjtin hap. Edhe vetë brenda Bashkimit Europian ka nivele të ndryshme të penetrimit në internet, tha në fjalën e tij, Roberto Viola, Drejtor i Përgjithshëm i Komunikimit, Rrjetit, Përmbajtjes dhe Teknologjisë. Ai shtoi se dixhitalizimi është gjuhë e përbashkët për të gjithë Europën. Për të arritur një ritëm të njëjtë për sa u përket zhvillimeve teknologjike kërkohen investime në Kapitalin Njerëzor; Infrastrukturën Dixhitale dhe Edukim. Bashkimi Europian ka shpërndarë për Programin e Dixhitalizimit 9.2 miliardë euro.

 

A duhet të ketë panik për vendet e punës?

Me ndryshimet teknologjike, vendet e punës nuk mbyllen, ato transformohen. Sipas studimeve të kryera nga Bashkimi Europian për çdo vend të mbyllur pune, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, hapen 2.6 vende të reja.
Por në rast se nuk investohet në arsim dhe rikualifikim, vendet mund të gjenden në vështirësi. Në Shqipëri, edhe pse rastet kanë qenë disi më specifike, teknologjia ka arritur që të rrëmbejë vende punë. Ndër sektorët e ekonomisë, ai më i prekuri ka qenë sektori bankar, ndërkohë që në industri, rastet kanë qenë më sporadike.

Sistemi arsimor në Shqipëri, sipas ekspertëve që punojnë në këtë sektor, duhet të përshtatet me ndryshimet në teknologji dhe të jetë i përditësuar, i përshtatshëm, modern dhe domethënës në mënyrë që të përftojnë aftësitë e nevojshme që kërkon shekulli i 21-të.
“Monitor” ka trajtuar edhe më herët se si këto ndryshime teknologjike kanë filluar që të prekin tregun e punësimit në vend.
Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se industria do të jetë sektori që do të preket më shumë, por nuk përjashton as shërbimet. Ai sjell si shembull shërbimin nga call center.

Me zhvillimet teknologjike, nuk do të jetë më e nevojshme të jetë një operator pas telefonit, por një robot do të përgjigjet duke përkthyer të gjitha të dhënat që ka në databazë në tingull. Ai parashikon edhe uljen e vendeve të punës në sektorin bankar.
“Bankat do të frekuentohen më pak dhe do të ketë më shumë automatë. Shumë nga zanatet në industritë prodhuese do të zëvendësohen nga krahu robotik”,
– u shpreh Arben Shkodra.
Vetë Komisioni Europian po prezanton shumë nisma që synojnë rritjen e numrit të trajnimeve për aftësitë dixhitale të forcës punëtore dhe të konsumatorëve, modernizimin e arsimit në mbarë BE-në, shfrytëzimi i teknologjive për të mësuar, si dhe duke parashikuar dhe duke analizuar aftësitë e nevojshme.

Një ekonomi e fortë dixhitale është jetike për inovacionin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe të vendeve të punës. Vetë zhvillimi teknologjik po ndryshon strukturën e punësimit, duke çuar drejt automatizimit të detyrave rutinë dhe në krijimin e vendeve të reja dhe të ndryshme të punës. Dixhitalizimi kërkon më shumë aftësi në TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikimi) në të gjithë sektorët e ekonomisë. Bashkimi Europian ka përllogaritur se deri në vitin 2020, do të ketë rreth 500 mijë vende pune të lira në Sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Sipas raportit të BE-së aftësitë në dixhitalizim po kërkohen në të gjitha vendet e punës ku në detyra përfshihen njohuritë në TIK. Profesionet e inxhinierit, kontabilistit, infermierit, mjekut, në fushën e artit dhe arkitekturës kërkojnë më shumë aftësi dhe njohuri dixhitale.
Zhvillimet teknologjike do të kërkojnë që çdo qytetar të ketë njohuri bazike në mënyrë që të jetojë, punojë, mësojë dhe të përfshihet në shoqërinë moderne./Monitor

 

Fraksion.com