AktualitetKosova

Delawie: Frikësimi i pjesëtarëve serbë të FSK-së – i papranueshëm

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, u shpreh i brengosur me dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Ai i cilësoi të papranueshme ndërhyrjet dhe frikësimet e tyre nga jashtë.

Një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet trysnisë së Beogradit ndaj tyre.

Që nga fillimi i këtij viti, zyrtarë në Serbi kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërsa kanë bërë thirrje edhe për largimin e serbëve të Kosovës të përfshirë në Forcën e Sigurisë që shihet si Ushtria e ardhshme e Kosovës. Disa raste të djegies së makinave kanë ndodhur në veriun e Kosovës, që lidhen kryesisht me familjarë të pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë.

Të premten ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ritheksoi se “çdo serb që jeton në hapësirat e Kosovës, duhet ta dijë se shërbim në çfarëdo ushtrie të rrejshme të Kosovës, është shërbim kundër popullit të tij dhe kundër shtetit të tij”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë në një postim në rrjetin twitter shprehu “shqetësimin e thelë me dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga radhët e komunitetit serb. Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të kësaj force është i papranueshëm. Shumëllojshmëria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është model për vendin. Ajo duhet të përgëzohet e jo të shkatërrohet”, shkroi ai.

Të enjten kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mblodhi këshillin kombëtar të sigurisë për të diskutuar këtë çështje dhe e cilësoi “trysninë e Serbisë kundër pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë si krim dhe veprim kundër konventave dhe të drejtave të njeriut”.

Aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës shërbejnë rreth 135 pjesëtarë të komunitet serb, numër ky që është shtuar viteve të fundit.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi i saj në ushtri po pamundësohet për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit.

Autoritetet në Prishtinë kërkojnë transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës, por diplomatët perëndimorë kërkojnë që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese për të cilat kërkohen edhe votat e deputetëve të komunitetit serb.

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Beogradin se askush nuk mund të vërë veto ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës./VOA

 

Fraksion.com