520 tërmete në dy ditë; Lëkundjet pritet të vazhdojnë më të lehta
Nga mesdita e së mërkurës e deri këtë të premte, 520 goditje tërmeti e kanë origjinën nga zona e Gjirit të Lalzit.
E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga tërmetet, për shkak të aktivitetit të dendur tektonik, sidomos në zonat bregdetare jonike dhe adriatike. Ashtu si tërmeti mbi 6 ballë i ditës së mërkurë, me epiqendër në zonën e Gjirit të Lalzit, i cili prej më shumë se dy ditësh shoqërohet vazhdimisht me tërmete të tjera.
“Aktiviteti vazhdon, numërohen rreth 520 pasgoditje, ku më e forta përveç të mërkurës, 4.2 ka qenë ajo e orëve të para të mëngjesit, me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter”, tha Edmond Dushi, sizmolog.
Epiqendra e tërmeteve mbetet e njëjta zonë, Gjiri i Lalzit. A është vijueshmëria e tërmeteve aktivitet normal, apo anomali?
“Është një tipologji e njëjtë e tërmeteve, që pas një goditjeje të fortë shoqërohen me pasgoditje. Tërmeti i Leskovikut në vitin 2004, ngjarje me të njëjtën magnitudë; tërmeti i 2009-s që ka vazhduar për një muaj; tërmeti i Durrësit; në vitin 2014 ai i Cërrikut; për të ardhur te tërmeti i ditës së mërkurë”, thotë Edmond Dushi.
Megjithëse është fakt që tërmetet nuk parashikohen, nga dita e mërkurë pyetja që gjithsesi na mundon të gjithëve është: A do të bjerë më tërmet?
“Nisur nga ecuria e aktivitetit, ne mendojmë që është duke u relaksuar, pra duke arritur në ekuilibër. Kjo do të kërkojë edhe pak kohë, por një situatë e tillë ka treguar se të radhës do të jenë me magnitudë më të vogël, pra të mos përbëjë më rrezik”, thotë Edmond Dushi./TCH
Fraksion.com